Kanë mjaftuar 45 minuta në fushën e lojës, në miqësoren e luajtur pasditen e sotme përballë Dinamos së Zagrebit, që mbrojtësi Lum Rexhepi të bindë drejtuesit e Partizanit, që t’i ofrojnë një kontratë.

Vetë klubi i kuq ka njoftuar nëpërmjet një komunikate në orët e mbrëmjes, se ka arritur akordin me mbrojtësin 26-vjeçar, që ky i fundit të jetë pjesë e skuadrës nga kryeqyteti deri në fund të këtij sezoni, ndërsa është lënë mundësia e bashkëpunimit edhe për një tjetër vit.

Lum Rexhepi ka qenë pjesë e skuadrës finlandeze të Kups, ndërsa është grumbulluar edhe nga përfaqësuesja e Kosovës, dhe në 6 muajt e ardhshëm do të kontribuojë për klubin e Partizanit.

Pas akordit me mesfushorin vlonjat Alessio Hyseni, i cili erdhi nga Flamurtari, drejtuesit e klubit kryeqytetas i dhurojnë kështu trajnerit Skënder Gega edhe një tjetër futbollist, siç është mbrojtësi Lum Rexhepi.

Top Channel