“Magjistari”, dy vite në arrati. Si dështoi Tahiri dhe Xhafaj për kapjen e “Eskobarit”

15/01/2019 15:24

Pas emërimit të Klement Balilit si funksionar i transporteve në qytetin e Sarandës, opozita nisi vargun e denoncimeve si fillim nga Genc Pollo dhe më tej nga demokrati Arben Ristani.

Reagimi i parë i Balilit u shpërnda përmes postës elektronike në të cilin 46-vjeçari mohoi gjithçka.

Por akuzat dhe kundërakuzat në fushën e politikës morën përmasa më të mprehta në majin e vitit 2016, atëherë kur autoritetet greke goditën në Athinë një rrjet të trafikut të drogës me 17 të arrestuar. Mediat helene e etiketuan Klement Balilin si “Eskobari i Ballkanit”. Por, pavarësisht kësaj, Shqipëria nuk preu asnjë fletë arresti me argumentin se Greqia nuk kishte përcjellë asnjë urdhër-arresti.

Sidoqoftë, distancimi me Balilin nisi menjëherë. Veprimi i parë ishte shkarkimi i tij nga detyra si drejtor transportesh. Prokuroria u vetëdeklarua në pritje, e cila e vuri atë në gjumë deri në dhjetor, kur edhe mbërritën letërporositë e para, kryesisht përgjime. Dhe trysnia e parë përpara mbërriti nga ndërkombëtarët, veçanërisht nga ambasadori amerikan Donald Lu.

Të pandjeshëm nga opinioni, por të ndjeshëm ndaj ndërkombëtarëve, policia u zgjua e para. Me bujë ajo zbarkoi në Gjirokastër e Sarandë për të kryer kontrolle banesash në Delvinë e në fshatin Stjar. Por vëllai i Balilit u shfaq i habitur nga kjo vizitë. Dhe në çdo kontroll policor që deklarohej i dështuar më pas, kishte sërish edhe akuza. Akuza të cilat prishnin qetësinë e ministrave të Brendshëm.

Por emri i Klement Balilit sakaq u bë shkak që të mblidhej edhe Këshilli i Sigurisë, që rrallëherë është mbledhur për emra konkretë. Me të vetmin shqetësim “përse ai nuk po arrestohej”.

Dhe gjatë kësaj kohe, Klement Balili fitoi edhe një etiketë tjetër, sërish nga ndërkombëtarët. Donald Lu e cilësoi atë në 2 tetor 2017 si “Magjistari”.

Përmendja e Balilit nga ndërkombëtarët ishte një “pickim” i fortë për autoritetet, por edhe për ministrin e radhës. Madje jo vetëm, por edhe për kryeministrin Edi Rama, i cili e përcolli shqetësimin tek drejtuesit policorë.

Nën petkun e sekretit hetimor, prokuroria ia la në dorë gjykatës kërkesën për sekuestro preventive të disa apartamenteve dhe kompleksin “Santa Kuaranta”, një vendim i cili rrugës së gjyqësorit u modifikua. Ndërkohë, policia u kthye 14 herë e dështuar së bashku me informacionet, agjentët e maskuar dhe dëshirën për të kapur peshkun e madh Klement Balili, duke marrë gjithashtu pas edhe konspiracionet se informacionet rridhnin, operacionet dekonspiroheshin dhe se Klement Balili kishte mbështetje në zonën e tij.

Diçka e tillë duket e provuar deri këtë të martë, kur Klement Balili vendosi të dalë dhe të bëjë nul madje edhe shpërblimin 5-milionësh që prej dy vitesh qëndroi në fuqi, megjithëse pa asnjë fuqi.

Top Channel