Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar të pajiset me vizë amerikane, por ende nuk ka asnjë përgjigje.

Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi ka thënë për “Radion Europa e Lirë” se, zyra e kryeministrit nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara, në lidhje me kërkesën për pajisje me vizë të kryeministit Ramush Haradinaj.

“E vetmja arsye e udhëtimit të kryeministrit në SHBA do të ishte pjesëmarrja në organizimin e ‘Mëngjesit të lutjeve’”, ka deklaruar Gashi.

Më parë, stacioni televiziv “Al Jazeera Balkans” kishte thënë se, bazuar në burime nga Departamenti amerikan i Shtetit, kryeministrit Ramush Haradinaj i është refuzuar viza amerikane për shkak të tarifës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës, e se ai nuk do të mund të marrë pjesë në një konferencë për Ballkanin në fillim të shkurtit.

Mospjesëmarrjen në këtë konferencë e ka konfirmuar për këtë stacion televiziv edhe njëri nga organizatorët. Gjatë ditës së hënë, mediet në Kosovë raportuan se, Këshilli për Sigurinë Kombëtare dhe Departamenti i Shtetit iu kanë dërguar një dokument tetëpikësh institucioneve të Kosovës, ku kërkojnë heqjen e menjëhershme të tarifës ndaj mallrave serbe, në të kundërt institucionet kosovare do të përballen me sanksione amerikane.

Megjithatë, të hënën, kryeministri Haradinaj deklaroi se Prishtina do ta shfuqizojë tarifën vetëm nëse merr garanci ndërkombëtare që marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të rezultojë me njohjen e ndërsjellë.

Top Channel