Haradinaj: Pezullojmë përkohësisht taksën “serbe”, nëse marrim garanci për marrëveshje

15/01/2019 02:14

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka lënë të kuptohej se qeveria e tij mund ta pezullojë përkohësisht taksën e vendosur mbi mallrat serbe, por vetëm pas garancisë ndërkombëtare mbi një marrëveshje finale, e cila do të rezultonte me njohjen e pavarësisë.

“Përderisa kemi vetëm sugjerime për takime të pafrytshme dialogu, pa objektiv dhe pa afate qartë të përcaktuara, pa kontratë me të cilën të jetë rënë dakord përpara dhe garanci ndërkombëtare, se do të nënshkruhet marrëveshja përfundimtare e cila rezulton me njohje, taksa vazhdon të mbetet në fuqi”, shkroi kryeministri i Kosovës në Facebook.

Haradinaj është shprehur i bindur mbi mundësinë e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese për Serbinë, e cila të çojë drejt njohjes.

Taksa mbi produktet që hyjnë në Kosovë nga Serbia, u vendos fillimisht nëntorin e vitit 2018 në masën 10 %, por më pas ekzekutivi e rriti atë në nivelin 100%, çka u bë shkas që autoritetet serbe të zgjedhin të mos e vazhdojnë dialogun në Bruksel deri në heqjen e kësaj tarife.

Mediat kosovare ndërkohë kanë raportuar se Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar pezullimin e menjëhershëm të taksës dhe e kanë bërë këtë përmes përfaqësisë diplomatike në Prishtinë. Sipas të përditshmes kosovare, “Koha Ditore”, SHBA-ja nuk sheh ndonjë përfitim të Kosovës nga vendosja e taksës 100% mbi mallrat serbe.

Top Channel