Presidenti i SHBA, Donald Trump tha të hënën se kurrë nuk ka punuar për Rusinë, duke bërë kështu mohimin e tij të parë të drejtpërdrejtë, pas një njoftimi të medias se FBI në vitin 2017 hetoi nëse ai veproi kundër interesave të Amerikës.

Trump gjithashtu kundërshtoi një raport të Uashington Post, sipas të cilit kishte fshehur detajet rreth takimeve të tij me Presidentin rus Vladimir Putin dhe konfiskuar shënimet e përkthyesit të tij.

New York Times njoftoi të premten se FBI hapi hetimet pasi shkarkimi i drejtorit të FBI-së James Comey nga ana e Trump, ngriti shqetësimet se presidenti paraqiste një kërcënim për sigurinë kombëtare.

“Jo vetëm që nuk kam punuar kurrë për Rusinë, por mendoj se është një turp që edhe ju e keni bërë këtë pyetje, sepse është një mashtrim i madh”, u tha Trump gazetarëve pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë për një udhëtim në Luiziana.

Marrëdhëniet e Trump me Rusinë dhe Putin kanë errësuar presidencën e tij që nga fillimi dhe ai ka hedhur poshtë hetimin federal nëse fushata e tij 2016 ka punuar me Moskën për të ndikuar në zgjedhje, duke i cilësuar si një mashtrim dhe një “gjueti magjistare”.

Top Channel