Tirana u “zgjua” të hënën nga një krim i rëndë. Bujar dhe Xhevaire Mataj, burrë e grua, 63 dhe 52 vjeç, u vranë në banesë nga dhëndri i tyre, i cili më pas vrau edhe veten.

Ngjarja ndodhi rreth orës 5:30 në rrugën “Kristaq Mone”, në zonën e njohur si “Astiri” në kryeqytet.

Mësohet se autori i krimit, i identifikuar si Majlind Lila, 52 vjeç, qëlloi disa herë me një pistoletë mbi vjehrrin dhe vjehrrën, duke i lënë ata të vdekur në vend. Më pas, për shkak se dyshohet se arma iu bllokua, qëlloi veten me sende të forta dhe u hodh nga kati i dytë i banesës.

Ndonëse u transportua në spital, ai nuk u mbijetori plagëve, ndërsa policia nisi hetimet për shkaqet e krimit të rëndë.

Autori, prej disa vitesh bashkëjetonte me Nevilën, vajzën e çiftit që vrau, e nga kjo marrëdhënie kishin edhe një fëmijë. Ndërkohë, prej disa kohësh, së bashku kishin shkuar në Suedi, ndërsa mësohet se familja e vajzës ka qenë që në fillim kundër kësaj marrëdhënieje.

Pikërisht ky konflikt dyshohet të jetë edhe motivi i krimit. Maljlindi dhe Nevila, e cila ndodhet aktualisht në Suedi, nuk kishin bërë celebrim, ndonëse bashkëjetonin prej vitesh dhe kishin edhe një fëmijë.

Sipas verifikimeve të policisë rezulton se autori kishte vetëm dy ditë që ishte kthyer nga Suedia, ndërsa ngjarja e rëndë do të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për shkak të “vrasjes në rrethana familjare”.

Policia po kryen verifikime nëse ka patur më parë denoncim për dhunë ndaj autorit, ndërsa ky është krimi i dytë i rëndë në familje në vetëm dy javët e para të vitit 2019, pas rastit në Mallakastër, ku burri vrau gruan dhe kunatën.

Top Channel