Temperaturat e ulëta të dimrit nuk e kanë penguar Anilën që të ushtrojë një sport të preferuar për të, mundijen, një miks mes mundjes dhe takekuondo.

Pasi mbaron shkollën dhe përgatit detyrat për të nesërmen, ajo nxiton të shkojë në të parën palestër falas që është çelur për artet marciale nga mjeshtri ndërkombëtar i taekëondo-s Fatmir Bardhoci në Durrës.

“Më ka pëlqyer për faktin se është një sport për vetëmbrojtjeje dhe kjo është diçka e mirë pasi mund të na mbrojë dhe jashtë palestrës për gjithçka mund të na ndodhë. Kjo ka qenë një nga dëshirat e mia më të mëdha, e nxitur dhe nga daja”, shprehet Anila Hakorja, sportiste.

Ajo është gjimnaziste e vitit të dytë në shkollën publike “Leonik Tomeo” dhe ndër të paktat vajza që e frekuenton rregullisht këtë palestër.

“Ka vajza plot, po jam mësuar të ndeshem me djemtë, pasi kur unë kam filluar nuk ka pasur shumë vajza në këtë sport. Me zhvillimin e sportit kanë nisur të vijnë dhe vajza. Nuk e kam shumë problem pasi jam mësuar të ndeshem me djemtë. Nuk kam frikë, po mundohem të jap maksimumin tim në ndeshje. Ky sport më shumë se forcë do teknika dhe demonstrime më të shpejta”, tha Anila Hakorja, sportiste.

Mjeshtri i arteve marciale Fatmir Bardhoci shpreson se ky sport do të popullarizohet më shumë në vendin tonë.

“Ky sport i ka rezistuar të gjithë kohërave dhe është sporti i vetëm tradicional që i ka rezistuar të gjitha kohërave dhe vazhdon të ushtrohet edhe sot në të gjitha trevat e veriut të Shqipërisë dhe në Dardani”, tha Fatmir Bardhoci, mjeshtër Taekwondo.

Gjithnjë e më shumë mundija po tërheq brezin e ri drejt këtij sporti antik e të dobishëm përmes të cilit jo vetëm disiplinohen e mësojnë teknikat e vetëmbrojtjes, po dhe kalojnë orë intensive me aktivitet fizik.

Top Channel