Reshjet e borës po shkaktojnë kaos në të gjithë Evropën dhe situata do të përkeqësohet gjatë fundjavës.

Reshjet shkatërrimtare të borës kanë shkaktuar një krizë në transport, qytete të tëra janë bllokuar dhe i kanë marrë jetën të paktën 21 personave në kontinent. E gjithë kjo ndërsa meteorologët parashikojnë që rryma e acartë e arktikut do të përshkallëzohet më tej.

Gjermania, Zvicra, Skandinavia, Austria dhe rajoni i Balltikut po përballen me temperatura të rrezikshme nën zero. Ushtria gjermane është dislokuar në disa kantone për të ndihmuar në pastrimin e rrrugëve dhe evakuimin e banorëve. Në qytetin Chemnitz madje janë ndalur edhe varrimet për shkak të borës së madhe të rënë.

Austria është përballur me sasinë më të madhe të reshjeve të borës të regjistruara ndonjëherë që kanë paralizuar një pjesë të vendit. Ushtria austriake ka dërguar helikopterët për të ndihmuar në largimin e borës nga rrugët dhe majat e pemëve për të reduktuar rrezikun që këto të fundit të bien nëpër rrugë apo trase hekurudhash.

Në pjesë të tjera të Evropës, temperaturat kanë rënë në nivele tronditëse ndërsa era e fortë nuk ka munguar. Në Greqi temperaturat kanë rënë në nivelin shokues deri në -23 gradë celcius, temperaturë kjo e regjistruar në Follorinë. Bora ka shkaktuar kaos në transport, me avionë të ulur në tokë, trena të ndalur dhe autobusë të nxjerrë nga rruga prej erës së fortë. Shumë shkolla dhe resorte skish janë detyruar të mbyllen.

Sidoqoftë, situata nuk është më e mirë edhe në pjesë të tjera të globit. Nga Kina e Rusia e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bora duket se po merr pushtetin.

Top Channel