Aleatët historikë të demokratëve nuk e mbështesin opsionin e rikthimit të bojkotit parlamentar.

Qëndrimin kundër, kreu i republikanëve Fatmir Mediu pritet ta shprehë edhe në mbledhjen më të afërt të opozitës së bashkuar, ku do të merret edhe vendimi zyrtar.

“Mendoj që kauza e opozitës nuk është vetting-u i politikës, por është për të ndërtuar shtet funksional dhe demokratik dhe roli i opozitës i padiskutueshëm është aty ku është vendi i qytetarëve, pra Parlamenti. Nëse do të largohemi nga Parlamenti dhe qytetarët do të largohen nga Parlamenti”, tha Mediu.

Me zgjedhjet elektorale në prag, republikanët e shohin si dosmodoshmëri rikthimin e normalitetit parlamentar për realizimin e reformës zgjedhore: “Siç ka thënë edhe OSBE-ja, problemi më i madh është blerja masive e votave. Si do e zgjidhim këtë çështje? Një rrugë për ta zgjidhur këtë çështje është për ta zgjidhur në Parlament. Sistemi aktual me lista të hapura, për mendimin tim, do të rriste demokracinë. Nuk mendoj se votimi elektronik është zgjidhja përfundimtare e Kodit Zgjedhor. Janë një sërë çështjesh që opozita duhet të ulet t’i diskutojë”.

Fatmir Mediu ishte i pari ndër aleatët që i kërkoi Lulzim Bashës ndërprerjen e bojkotit vitin që shkoi, ndërsa në nisje të sesionit të ri duket se nuk ka lëvizur nga bindja se opozitarët betejën duhet ta bëjnë në Parlament dhe jo jashtë tij.

Top Channel