Vendimi i Këshillit të Ministrave u jep të drejtë të përfitojnë një pagesë prej 9 mijë lekësh në muaj , paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, ndërkohë nuk përfshin hemiplegjikët. Këta të fundit janë njësoj të paaftë si kategoritë që përfitojnë.

Emisioni Fiks Fare solli rastin e një të sëmuri me hemiplegji nga qyteti i Poliçanit.

Djali i të sëmurit ankohet se përse babai i tij nuk përfiton shoqërues, përderisa ai është i paaftë për t’i shërbyer vetes së tij.

Elton Nazëri thotë se prej 4 vitesh po përballen me vështirësi shumë të mëdha me të atin, pasi ka mbetur i paralizuar dhe është diagnostikuar si hemiplegjik. Ai ka të paralizuar anën e djathtë, ndaj nuk është i aftë as të kryej nevojat e tij personale.

Nazëri tregon për Fiksin se pagesa prej 17 mijë lekësh që i jep shteti nuk arrin të mbulojë as nevojat e të sëmurit. “Për dy javë i kam marrë 7200 lekë ilaçe, plus çdo ditë është me pampers, ato para që ai merr nuk mbulojnë as shpenzimet e tij”, thotë Eltoni.

Ai thotë se mjeku që e ka ndjekur i ka thënë se do përfitonte vetëm nëse do i kishte të dyja këmbët të paralizuara.

Gazetarët e Fiksit shkuan tek mjeku neurolog, në qytetin e Beratit i cili ka ndjekur rastin e babait të Eltonit.

Specialisti thotë për Fiksin se të sëmurët me hemiplegji janë njësoj të paaftë si paraplegjikët dhe tetraplegjikët, por është ligji ai që i ndalon që të trajtohen me shoqërues. “Unë i kam bërë edhe një letër kryeministrit Edi Rama para 2 vitesh pikërisht për këtë problem, por akoma nuk kam marrë një përgjigje”, shprehet mjeku neurolog.

Edhe pse në vitin 2007 u morë vendimi që paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve përfitojnë shoqërues , kategoria e hemiplegjikëve nuk u përfshin në këtë ligj.

Top Channel