Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar pasditen e kësaj të premteje ndryshimet kushtetuese për të mundësuar ndryshimin e emrit të vendit, në Republika e Maqedonisë së Veriut, sipas marrëveshjes së arritur në Prespë me fqinjin jugor të saj, Greqinë.

Shkupi mbyll kështu betejën e gjatë që i hap rrugën anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Europian.

Të 81 deputetët e pranishëm në seancën plenare të Kuvendit maqedonas votuan pro amendamenteve kushtetuese. Pjesa tjetër e deputetëve, 29 opozitarë, abstenuan.

Kryeministri Zoran Zaev siguroi 81 vota për të miratuar ndryshimet në Kuvendin me 120 anëtarë. Pro votuan edhe të gjitha partitë shqiptare, edhe ato në opozitë, pas një marrëveshjeje që Zaev arriti me kryetarin e Lëvizjes Besa, pak para se të niste votimi në seancë.

Ndërkohë, jashtë Parlamentit në Shkup kanë nisur protestat e opozitës që janë kundër marrëveshjes. Tashmë “loja” nis në Athinë, ku marrëveshja duhet të miratohet nga Parlamenti i Greqisë dhe kryeministri Alexis Tsipras nuk ka një betejë të lehtë.

Top Channel