Rreth 200 operacione në ditë, aq sa kryhen brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, janë duke u anuluar për shkak të grevës së mjekëve kirurgë, që ka hyrë në javën e tretë.

Greva në Shëndetësi u organizua nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë, më 26 dhjetor, për të zgjatur 72 orë. Më pas, vet kreu i saj Blerim Syla, pas takimit me zyrtarë të qeverisë kishte bërë thirrje që greva të ndërpritet.

Por, kirurgët e nisën protestën e tyre më 17 dhjetor dhe vazhdojnë ende. Ata këmbëngulin për rritjen e rrogës përmes miratimit të projektligjit për pagat, i cili aktualisht është në procedurë aprovimi.

Njëri prej kirurgëve grevistë, Arbër Morina i tha “Radios Europa e Lirë” se Kolegjiumi Profesional i Kirurgëve ka vendosur që greva të mos ndërpritet. Sipas tij, grevës tashmë i janë bashkuar 157 kirurgë nga e gjithë Kosova.

Sa për arsyen përse kirurgët nuk e respektuan vendimin për ndërprerjen e grevës, Morina shpjegon se ata nuk janë përfaqësuar asnjëherë denjësisht nga kjo sindikatë. Për punën që kryejnë, mjekët specialistë në Kosovë paguhen me rreth 600 euro në muaj.

Top Channel