Top Story gjatë një interviste me profesorin italian Marco Saracchi zbulon sesi terroristët mund të ndërmarrin sulme nëpërmjet informacioneve në internet.

“Ky është një sajt që tregon trafikun ajror në një zonë që mund ta definojmë. Nëse dua të shoh në këtë moment në Shqipëri. Në këtë moment, avionët po lëvizin. Mud të shoh këtë avion. Kam numrin e avionit. Duke klikuar del numri. Është avion i nisur nga Nairobi, dhe po drejtohet në Amsterdam. Kemi orarin e nisjes dhe të mbërritjes. Por mbi të gjitha dimë lokacionin ku ndodhet. Të dhënat e tjera janë lartësia, shpejtësia dhe koordinatat e avionit.Tani, imagjinoni nëse një grup terrorist vendos ta godasë këtë avion nuk do kishte vështirësi, sepse di ku ndodhet, në çfarë lartësia dhe mbi të gjitha në kë shtet. Kështu mund të vendos ta godasë avionin me një raketë përshembull, të përcaktojë nga kush shtet ta godasë, dhe ku të rrëzohet. Duke i atribuuar qeverive që nuk kanë dijeni për sulmin, përgjegjësi që nuk i kanë”, shpjegon Saracchi.

Edhe pse për momentin rreziku nga terrorizmi konsiderohet i ulët, Shqipëria vlerësohet si vend me risk nga krimi inteligjent, ndërsa format janë nga më të ndryshmet. 20 vite më parë, në Shqipëri dihej pak ose aspak për krimin kibernetik.

“Veprat e para penale që nuk janë të identifikuara si vepra kompjuterike në atë kohë, por kanë qenë të identifikuara në forma të tjera, mund të jenë diku nga fundi i viteve ’90, por kryesisht mbas viteve 2000”, tha Elton Kërluku, ish- shef i krimit kibernetik.

Në legjislacionin shqiptar janë adaptuar për herë të parë vepra penale, që lidhen me krimin kibernetik, në vitin 2002, me miratimin e Konventës së Këshillit Evropian e njohur si Konventa e Budapestit. Veprat penale u sanksionuan në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale vetëm në vitin 2008. Ndërkohë, një ligj organik për sigurinë kibernetike është miratuar shumë vonë, në vitin 2017.

Pra, shihet që vendi ynë është akoma në fazën e përditësimit të legjislacionit, e jo më të mendosh për investime në sigurinë kibernetike. Për herë të parë statistika zyrtare për krimin kompjuterik janë mbajtur nga policia në vitin 2010, kur u regjistruan gjithsej 13 vepra penale, mes tyre 3 mashtime kompjuterike, 8 falsifikime dhe 2 ndërhyrje kompjuterike.

Sot, janë 218 raste të reja të krimit kibernetik. Siç tregohet në grafikun e statistikave zyrtare të policisë që Top Story ka siguruar, këto krime kanë ardhur vetëm në rritje.

Sipas një ankete të realizuar së fundi nga Akademia e Sigurisë ku morën pjesë rreth 1300 qytetarë, rezultonte se 22.6 % e tyre kanë vuajtur pasoja nga krimi kibernetik.

Pra, 1 në 4 qytetarë është dëmtuar, çka tregon se ky lloj kriminaliteti i sofistikuar po masivizohet. Por, në statistikat zyrtare, ka një numër shumë më të vogël veprash të tilla të trajtuara.

“Krimet kibernetike janë shumë të vështira për tu zbuluar, nevojiten kapacitete të mëdha teknike të përparuara”, tha hetuesi italian.

“Ky është një problem i raportimit. Raportimi i rasteve është shumë here I vogël nga ajo që ndodhin. Mund të them që numri mund të jetë dhe më I madh, 23 % bësoj që është pak”, shprehet Elton Kërluku.

Por, edhe kur këto vepra trajtohen, pjesa më e madhe e tyre nuk arrihen të zbardhen. Mungesa e kapaciteteve, infrastrukturës dhe personelit të trajnuar, janë shkaqet kryesore që hetimet ndaj krimeve në internet në Shqipëri, dështojnë.

Top Channel