Nga viti 2015 e deri sot bizneset dhe qytetarët shqiptarë kanë pësuar dëme në vlerë prej rreth 3 milionë eurosh nga grabitjet “online”. Metoda që po përdoret “online” është ajo e hakerimit të adresave të e-mailit të kompanive përmes të cilave kryhen pagesat.

Është e vërtetuar që 1 në 131 e-maile është i krijuar për të sulmuar, kontrolluar të dhënat apo për qëllime të ndryshme të kriminelëve të botës “online”.

Hakerat shpesh herë dërgojnë e-maile me dokumente të infektuara me virus në një kompani të caktuar. Kur dokumenti hapet, atëherë kompjuteri infektohet dhe hakerat arrijnë të kontrollojnë transaksionet monetare.

Top Story intervistoi Besnik Koçin, një prej eksportuesve më të mëdhenj të bimëve medicinale. Ai është një prej viktimave të shumtë të krimit kibernetik. Në fillim të qershorit të këtij viti ai kishte nisur dy ngarkesa me bimë medicinale, por në llogarinë e tij nuk po mbërrinin paratë.

“Problemi im ka lindur në fillim të muajit qershor dhe unë e mora vesh në fillim të muajit gusht”, tha Besnik Koçi.

Koha po kalonte dhe pas dy muajsh, klienti i Koçit kërkon një tjetër ngarkesë: “Në momentin që kisha për të dërguar një ngarkesë tjetër, shuma për të cilën ishte e konsiderueshme, i shkruaj email dhe i them: Po nuk bëre dy pagesat e para, më vjen keq, por nuk mund të nis ngarkesën e tretë. Prit për emailin dhe nuk po më kthente. E marr në telefon dhe i them: Bëj pagesën e parë! Më thotë që i ka bërë pagesat”.

Në të vërtetë, klienti i kishte dërguar paratë. 40 mijë euro për të dyja ngarkesat, por mes tij dhe biznesmenit shqiptar kishte ndërhyrë dikush tjetër… një haker.
“Kanë ndërhyrë në e-mailin tim gjatë gjithë kohës. Marrëdhënia ime me jashtë ka qenë vetëm përmes e-mailit dhe përmes një personi të tretë”, tha bizesmeni.

Hakeri i kishte dërguar e-mail klientit në Gjermani njësoj si të ishte biznesmeni Koçi, duke i kërkuar derdhjen e parave në Turqi.

“Më merr klienti në telefon dhe më thotë ç’ne ti në Turqi? Unë i them që nuk kam punë me Turqinë, por ky moment u anashkalua sepse asnjërit nga ne nuk i shkoi mendja sepse nuk kishte pasur një eksperiencë të tillë të hidhur”, tha bizesmeni.

Për të qenë i besueshëm, ai madje kishte hapur llogari bankare dhe një kompani me emrin e Besnikut në këtë vend.

“Kishte hapur një website shumë herë më të mirë sesa i imi, ku unë kam 6 vite që e mirëmbaj. Kishin hapur një faqe, një biznes dhe i dërgon klientit të gjithë dokumentacionin që ai kishte hapur në Turqi”, tregon Besniku.

Pasi biznesmeni bën denoncim, autoritetet turke arrijnë të bllokojnë më pak se gjysmën e parave, pasi pjesa tjetër ishin tërhequr nga grabitësit.

“Një faturë ne e kemi bllokuar, është në llogari të hakerit, afërsisht rreth 18 mijë euro. Paratë e faturës tjetër janë tërhequr. Ne e kapëm “hajdutin” që ka vajtur për të tërhequr lekët, policia turke nuk e arrestonte dot. Arsyeja ishte se ky kishte një prokurë të posaçme që vetëm të tërhiqte lekët nga banka, nuk ishte ky personi që kishte hapur llogarinë në emrin tim”, tha Besniku.

Por, dëmi për Koçin ishte bërë, madje shumë më tepër se vlera prej 40 mijë eurosh e dy ngarkesave. Kjo, pasi hakeri kishte dëmtuar komunikimet e tij me klientët e tjerë.

“Dëmi shumë herë më i madh se kaq. Ne nuk komunikuam direkt më me klientët në këtë kohë”, tha Koçi.

Top Channel