Mungesa e ngrohjes në shkolla, kopshte dhe çerdhe për sistemin publik është përgjegjësi dhe neglizhencë e kryetarëve të bashkive në vend.

Institucionet arsimore, për pjesën infrastrukturore kanë përgjegjës bashkitë dhe të gjithë kryetarët e bashkive kanë pasur që në shtator, para tryezës së tyre, problematikat nëpër shkolla, çerdhe e kopshte, në një raport të dalë nga inspektimet e kryera nga Inspektoriati Shëndetësor Shtetëror, i cili i kontrollon të gjithë objektet në fund të procesit mësimor dhe në fillim të tij, në muajin shtator.

Por, ky inspektoriat ka në tagrin e tij vetëm kontrollin e ekzistencës së kaldajës dhe jo funksionimin e saj. Për këtë është Inspektoriati Shtetëror Arsimor, i cili duhet të kontrollojë çdo ditë dhe çdo muaj gjendjen e shkollave, kopshteve e çerdheve, dhe të marrë masa ndaj tyre deri në gjobitje të drejtuesve të tyre, të cilët ka raste që nuk zhvillojnë tendera për lëndën djegëse të kaldajës, në rastet kur janë.

Ky inspektoriat duhet të kontrollojë edhe objektet arsimore jopublike, të cilat i janë lënë në dorë ndërgjegjes së biznesit që e ofron arsimin jopublik, pasi nuk i kontrollon askush.

Top Channel ka tentuar të kontaktojë disa herë me drejtuesin e Inspektoriatit Shtetëror Arsimor, por në asnjë rast nuk ka qenë i disponueshëm, edhe pse është vënë në dijeni për çështjen sensitive të ngrohjes së fëmijëve në këto ditë, kur në të gjithë vendin u regjistruan temperatura nën zero.

Top Channel