Shefat e shërbimeve në QSUT; 4 kandidatë e kanë çuar në gjykatë procesin e përzgjedhjes së fituesve

09/01/2019 12:15

4 kandidatë për shefa shërbimesh në qendrën më të madhe spitalore në vend kanë çuar në Gjykatë Administrative procesin e përzgjedhjes së fituesve.

Bëhet fjalë për shërbimin e endokrinologjisë, shërbimin e kirurgjisë pediatrike sherbimin e dermatologjise dhe reumatologjisë kandidatët e të cilëve e kanë ankimuar të gjithë procesin duke paditur komisionin që ka përzgjedhur e fituesit si dhe Qendrën Spitalore Universitare.

Në fakt lista e kandidatëve fitues duhej të ishte bërë publike, pasi intervistat e kandidateve ata të cilët nuk u skualifikuan janë mbyllur që në fund të muajit nëntorit.

Ndonëse u tha se procesi i përzgjedhjes se shefave të shërbimit do të ishte transparent, ne fakt rezultoi te ishte hermetik çka bën që në radhët mjekëve të flitet për pazare dhe jo për një konkurrencë të denjë ku secili nga kandidatët përveç CV e tij të garonte me projektin dhe vizionin e tij për të drejtuar shërbimet shëndetësore në QSUT.

Burime të Top Channel thonë se kjo përzgjedhje nuk është bazuar në konkurs, por ka qenë thjesht emërime, pasi janë lejuar të kandidojnë persona ne prag të pensionit kur në fakt kontrata është 4 vjeçare.

Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk japin asnjë informacion në lidhje me përzgjedhjen e shefave të shërbimit.

Burime tona shpjegojnë se lista e fituesve të përzgjedhur do të firmoset në fund nga dy ministret, ajo e Shëndetësisë dhe ajo Arsimit. Dhe menjëherë pas kësaj do të vijojnë gjyqet edhe për kandidatet që janë shpallur fitues më të padrejtë dhe sipas preferencave edhe pse nuk përmbushin kriteret e përcaktuara.

Top Channel