Maurizio Sarri ka dalë sot në një konferencë për shtyp, ku ka folur për merkaton e janarit dhe ka vënë theksin te numri i paktë i mesfushorëve që ka në dispozicion, duke llogaritur edhe largimin e Cesc Fabregas.

Trajneri i Chelseat pranoi interesimin e londinezëve për mesfushorin 21-vjeçar të Cagliarit, Nicolo Barella, i cili gjithashtu ndiqet me shumë vëmendje edhe nga klubet italiane si Juventus, Inter, Napoli, etj.

“Barella? Nuk e di, por dua të theksoj se na duhet patjetër një mesfushor. Me largimin e Fabregas, mbetemi vetëm 5 të tillë në organikë, që janë shumë pak, ndaj na duhet një lojtar. Situatën e Fabregas e dimë të gjithë dhe do të largohet, por unë nuk di të them se cili do të jetë destinacioni i tij i ardhshëm”, deklaroi Sarri.

Më pas tekniku i Chelseat foli edhe për situatën e krijuar me dy të tjerë të pakënaqur, si Alvaro Morata dhe Gary Cahill, ndërsa komentoi edhe ofertën e marrë nga Bayerni për talentin Hodson-Odoy.

“Morata mjafton të shënojë, pastaj nëse feston apo jo, kjo nuk më shqetëson aspak. Me Garyn situata është pak më ndryshe, por edhe po u largua, në mbrojtje kemi numrat e duhur për të përballuar sezonin. Sa i përket Hodson-Odoy, mendoj se po punon mjaft mirë dhe po rritet shumë. Nuk ka pse shkon në Gjermani, pasi ai është një anglez dhe e pret një e ardhme e ndritur te Chelsea dhe te kombëtarja angleze”, u shpreh trajneri i Chelseat.

Top Channel