Përgjimet, parcelat e drogës të asgjësuara në disa fshatra të Vlorës, si dhe ngarkesa prej gati 4 tonë drogë e sekuestruar në një fabrikë në fshatin Babicë, fundosin grupin prej 9 anëtarësh, të ashtuquajtur ndryshe si anëtarë të grupit “Habilaj”.

Prokuroria për Krimet e Rënda në Tiranë përfundoi hetimet për Moisi Habilajn, Florian Habilajn, Tigrencs Mezuraj, Armando Sulaj, Meridian Sulaj, Nezar Seiti e të tjerë, dhe e dërgoi çështjen për gjykim.

Akuzat që rëndojnë ndaj 9 të dyshuarve janë ato të “grupit të strukturuar kriminal”, “trafikut të drogës” dhe “kultivimit të drogës”.

Prokurorët thotë se i dyshuari Moisi Habilaj është mbështetur nga punonjës policie dhe zyrtarë të lartë të policisë për kultivimin e kanabisit, e më tej edhe të trafikut të drogës.

Ndërkohë janë veçuar hetimet për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për të cilin organi i akuzës ka kohë deri më 17 janar për t’u shprehur se çfarë do të bëjë me të.

Si fillim, prokurorët i referohen një aksioni policor në fshatrat Treblovë e Vezhdanisht më 4 tetor 2016, gjatë të cilit u asgjësuan disa parcela që furnizoheshin përmes tubacioneve, të lidhura me një rezervuar uji.

Më tej, Prokuroria i referohet edhe grupit të parë të arrestuar e të dënuar tashmë, që njihet ndryshe si “grupi i Treblovës” dhe që u shpallën fajtorë si kultivues të këtyre parcelave.

Për këtë shkak, Prokuroria sjell në vëmendje bisedën e Taulant Haxhirajt, i cili u thotë anëtarëve në telefon se “çdo gjë bëhet me shtet”. Pra – shpjegon Prokuroria, – ky aktivitet kriminal ndodhte në dijeni të Policisë së Shtetit.

Në një moment të dytë, i dyshuari Armando Kocerri njoftohet nga një person tjetër, që e sinjalizon se ka mbërritur një motor nga ata të policisë. Gjatë mësymjes së policisë në zonë, të pandehurit e etiketojnë kanabisin, herë si barbunjat, e herë si fiqtë, atëherë kur duan të paralajmërojnë se policia gjendej pranë parcelave të tyre.

Më tej në vitin 2017, përgjimet tregojnë biseda mes Florian Habilajt, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, kur anëtarët e pyesin nëse është e vërtetë ajo që dëgjohet, e ai përgjigjet: I marrshin të keqen, se fjalë janë!

Kjo bisedë zhvillohet dhe përputhet me kohën kur në vendin tonë sapo ishin hapur letrat për çështjen e drogës.

Top Channel