Java e parë e janarit shënoi një rënie të konsiderueshmë të temperaturave. Por, pavarësisht të ftohtit, ata që janë të apasionuar pas aktivitetit fizik nuk janë dorëzuar edhe në këto ditë të acarta.

Edhe pse jemi në stinën e dimirit, nuk është e thënë që stërvitja duhet lënë pas dore. Duket se më të vendosur janë ata, që prej vitesh bëjnë vrap nga liqeni, pasi tashmë stërvitja për këtë kategori është kthyer në stil jetese.

“U bënë shumë vite, gati 10 vite që bëj stërvitje. I ftohti nuk është problem, është mësuar trupi, sepse dal çdo ditë. Unë jam 55 vjeç dhe bëj 5-7 km në ditë, plus marr pjesë edhe në mataronën që bën Bashkia”, thotë një banor.

Por, frekuentues të rregullt mbeten edhe të moshuarit, në këto ditë të ftohta.

“Unë jam i moshuar, 82 vjeç. Kjo më ka mbajtur gjallë. Që kur kam dalë në pension, dal në verë e dimër, në shi e borë”, tha një i moshuar.

“Është kohë shumë e përshtatshme. Nuk ka shi, është kohë e thatë dhe ideale për t’u marrë me aktivitet fizik”, thotë një tjetër i apasionuar pas vrapit.

“Kam rreth 3 muaj që kam filluar çiklizmin, ndërsa tani po bëj vrap. Po, dal çdo ditë. Edhe sot që është ftohtë, sepse duhet të dal kampion në të ardhmen. Kam pak ftohtë, por dëshira për sportin më shtyn të vazhdoj çdo ditë e më shumë”, tha një i ri.

Dikush vrapon sepse i pëlqen të mbajë trupin në formë. Ka nga ata që besojnë se stërvitja të jep energji dhe lufton sëmundjet kardiovaskulare, mendore dhe shkatërron yndyrnat e sheqernat, të cilat janë një ndër shkaktarët e diabetit.

Për këtë arsye, liqeni i Tiranës ishte sot i mbushur nga vrapues të moshës së tretë.

Top Channel