Pas MasterChef kalova shumë kohë duke u menduar për formatin që do të më rikthente në televizion. Diskutime të shumta të bëra me veten time dhe me bashkëpunëtorë të mi, më shpinin gjithmonë nën të njëjtën logo, të një show gatimi gjigand, i cili kudo në botë, do të pushtonte zemrat e të gjithëve: HELL’S KITCHEN.

Që në momentin e parë që filloi ky show, vendosa që thjesht të isha chef Renato Mekolli, sepse e dija që gjithsesi do të kishte shumë komente, negative a pozitive qofshin. Dhe ashtu ndodhi, javë pas jave, kishte kaq shumë reagime e kaq shumë shpërthime, të cilat e bënë HK programin televiziv më të ndjekur.

U komentua çdo sekuencë e emisionit, çdo e bërtitur, çdo sharje, çdo lot gëzimi apo hidhërimi, çdo pjatë e thyer; dhe këto komente erdhën praktikisht nga të gjithë, nga njerëzit e thjeshtë, nga media, të cilët me gjithë të drejtën e mundshme të komentojnë e të shkruajnë, por edhe nga shumëkush që nëpërmjet komenteve (negative), kërkonte pak vëmendje në rrjetet sociale.

Këtyre të fundit, gjithmonë i jam përgjigjur vetëm me punën time. Por ndikimi që unë doja të kisha në njerëz, nuk ishte thjesht nëpërmjet audiencës.

Unë doja që nga ekrani i tyre ata të ndjenin dhe kuptonin në njëfarë mënyre tensionin, presionin, gëzimi e hidhërimin që ti fal puna e vertetë në një kuzhinë të vërtetë restoranti.

Dua t’u tregoj që pas thyerjes së pjatave, të bërtiturave stresuese, përballjes midis konkurentëve, ekziston vetëm një recetë e mirë, e pasqyruar ashtu si duhet, në një pjatë të pastër, të rregullt, të shijshme e me detaje që bëjnë diferencën.

Dua t’u falenderoj të gjithëve për mbështetjen, produksionin e Top Channel, duke filluar nga Drejtori i Përgjithshëm Ben Blushi, që më besoi rikthimin pas 2 viteve mungesë me të vetmin format të suksesshëm që unë dëshiroja të rikthehesha në televizion, regjisorin Ergys Lubonja, autoren e programit Olsa Muhameti, të gjithë ekipin e palodhur të kameramanëve, teknikëve të montazhit, sponsorët e ndryshëm me në krye sponsorin tim gjeneral Elka, mediat të cilat për 12 javë me radhë, më dhanë vëmendjen e duhur dhe mbi të gjithë, fansat e mi, të gjithë njerëzit e thjeshtë e të mirë, të cilët pavarësisht diskutimeve, vazhdojnë të më tregojnë që më duan me zemër.

Unë do të rikthehem përsëri shumë shpejt me ju, me një emision tërësisht ndryshe, një emision që gjithashtu kam dashur dhe kam mbështetur idenë që ta bëj gjithmonë; një emision gatimi me fëmijë, për fëmijë.

Ky emision do të na dhurojë të gjithëve paqen, energjinë, sinqeritetin dhe dashurinë që vetëm fëmijët dinë të na dhurojnë. Çdo gjë nëpërmjet pasionit që na ngre të gjithëve peshë: gatimit.

Ndërkohë Hell’s Kitchen 2 po vjen me një studio gjigande e me një skenografi moderne, ashtu siç vërtetë e meriton ky reality show.

Renato Mekolli

Top Channel