Brenda një viti Euro është zhvlerësuar me afërsisht 10 lekë në tregun shqiptar, ose mbi 9 përqind. Në ditën e parë të hapjes së bankave për 2018-ën, në 3 janar, një Euro këmbehej sipas kursit zyrtar me 133,07 lekë, ndërkohë në 28 dhjetor këmbehet 123,41 lekë.

Situata nuk ka qenë normale, pasi zhlverësimi i Euros nuk ka ardhur prej zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare, por për shkak të rritjes së sasisë së kësaj valute në Shqipëri. Ekspertë të ekonomisë e lidhin me paratë e pista, të cilat hyjnë në vendin tonë përmes kanaleve të ndryshme.

Ndërkohë Bankës Qendrore i është dashur të ndërhyjë disa herë fort në tregun e brendshëm të valutës, për të mos lejuar një zhvlerësim edhe më të madh. Rreth 400 milionë euro janë blerë nga Banka e Shqipërisë për të ulur ofertën e lartë.

114.55 milionë Euro janë blerë vetëm gjatë verës me objektiv moslejimin e forcimit të mëtejshëm të lekut. Operacionet financiare kanë vazhduar edhe më pas për të stabilizuar situatën. Gjithsesi qëllimi i bankës nuk është ruajtja e kursit të këmbimit, por mbrojtja e nivelit të inflacionit.

Që nga mesi i 2016-ës, monedha e përbashkët europiane po humb pikë dhe kjo ka ndikuar në rënien e të ardhurave në buxhet, që deri tani për këtë vit janë rreth 9 miliardë lekë. Goditje të fortë kanë pësuar dhe eskportet shqiptare, ndërsa shoqatat e prodhuesve dhe të fasonëve thonë se humbjet llogariten rreth 200 milionë Euro.

Top Channel