Hetuesit e krimeve kundër jetës u rikthyen edhe njëherë në vendngjarje për të rindërtuar skemën e vrasjes së 17-vjeçares Griselda Gjikolaj.

Në bazë të pamjeve filmike të bizneseve të zonës, rezulton se adoleshentja, para të shtënave fatale, gjendej në një bar së bashku me të plagosurin Erjon Benga. Pasi dolën nga lokali, një i ri 19-vjeçar i identifikuar tashmë dhe shpallur në kërkim nga policia, i priste pranë automjetit që ishte parkuar buzë një trotuari.

Sapo mjeti tip Mercedes Benz ka nisur të lëvizë, në drejtim të tij është qëlluar disa herë me pistoletë. Plumbat janë qëlluar në anën e drejtuesit të mjetit, por një prej tyre fatkeqësisht kapi edhe pasagjeren 17-vjeçare.

Sipas grupit të hetimit, motivi i ngjarjes lidhet me një konflikt të ndodhur para disa ditësh mes autorit dhe të plagosurit Benga, për ngacminin e Griselda Gjikolës. Policia ende nuk ka rënë në gjurmët e autorit të krimit, ndonëse ka kryer kontrolle në disa zona ku mendohej se fshihej.

Dyshohet se 19-vjeçari është ndihmuar edhe nga një person tjetër për të cilin po kryen verifikime.

Top Channel