Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se Kosova është e gatshme për dialog me Serbinë dhe shpreh bindjen e tij se një marrëveshje me Beogradin është e mundshme.

“Ne do të punojmë shumë seriozisht si Kosovë, duke iu përgjigjur nevojave të vendit për fqinjësi të mirë, që në muajt në vijim të ndodhë dialogu me Serbinë dhe të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, që Kosova ta fitojë njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në OKB”, deklaroi Thaçi.

Sipas kreut të shtetit kosovar, me vulosjen e ujdisë, Kosova do të fitojë njohjen nga Serbia si dhe nga 5 vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë hedhur deri më tani këtë hap.

Por, ndërkohë, ai paralajmëroi se po nuk u arrit marrëveshja e shumëpërfolur, vendi mund të përballet me pasoja, të cilat do të nisnin nga izolimi i plotë ndërkombëtar, regresi, papunësia dhe një gjendje të cilën, siç tha ai, qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë.

Thaçi edhe një herë përsëriti dëshirën e tij që Lugina e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit t’i bashkohen territorit të Kosovës.

Top Channel