Ambasadori i OSBE në Tiranë, në lidhje me nismën e Ramës se do të çojë në gjykatë çdo akuzë të rreme ndaj tyre, Bernd Borshard thotë se problemi kryesor është pronësia e medias dhe vetëcensurimi.

“Ka gjithashtu një raport nga “Reporterët pa kufij”, i cili shqyrton disa nga problemet. Një nga problemet kryesore është niveli i lartë i përqëndrimit, të pronësisë në media, gjë që ushtron presion mbi gazetarët dhe çon në vetëcensurë. Po ashtu ka shumë sulme verbale dhe së fundmi, sulme fizike. Goditje dhe kërcënime me armë ndaj gazetarëve, gjë që rrit frikën dhe promovon vetëcensurën dhe kjo është e rrezikshme për lirin e medias”, tha Ambasadori i OSBE-së.

Koloreto Cukali, një gazetar i njohur në vend, beson se media në Shqipëri, po kalon ditë të këqija.

“Unë besoj që jemi vendi i vetëm në Europë, ku nuk kemi konferenca për shtyp. Pra institucionet shtetërore që kanë për detyrë të dalin para mediave dhe të përballen me faktet dhe e tyre, ky institucion është shkatërruar komplet. Edhe në vende diktatoriale, apo autoritare më tepër, konferencat për shtyp nga qeveria, vazhdojnë të bëhen. Në Shqipëri këto nuk ekzistojnë. Unë nuk e di se mund të ketë një ditë më të keqe se sa kjo”, tha Koloreto Cukali, Gazetar.

Megjithatë hartimi i një pakete ligjore anti-shpifjes, që në parim ka shmangien e keqkuptimit dhe të keq informimit që buron nga raportimi i lajmeve të pakonfirmuara, për ambasadorin e OSBE-së është një hap i mirë.

“Pashë një element të kësaj pakete, që pikësëpari flet për të drejtën për të kërkuar përgënjeshtrimin e një lajmi të rremë. Kështu trajtohet kjo gjë edhe në vendin tim. Shkohet në gjykatë, depozitohet deklarata dhe, më pas, nëse pala tjetër nuk jep prova, duhet botuar një përgënjeshtrim. Ky është një hap i mirë”, tha Ambasadori.

Top Channel