“Vendimi për krijimin e ushtrisë është e drejtë e shtetit të Kosovës dhe askush nuk duhet të përzihet në punët e tij të brendshme”. Kështu është shprehur kryetari i Parlamentit maqedonas, Talat Xhaferi. Ky pohim ishte përgjigjja e tij ndaj kërkesës për të komentuar qëndrimin e shefit të ekzekutivit, Zoran Zaev.

Kryeministri maqedonas mbajti disa ditë më parë anën e NATO-s, me vlerësimin se Kosova po e formon ushtrinë në kohën e gabuar. Ai u shpreh madje se, Prishtina duhet të rishikojë gjithashtu vendimin e saj për vendosjen e taksës 100% mbi produktet e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Ndryshe nga Zaevi, BDI-ja partnere koalicioni me të e uroi përmes një letre krijimin e ushtrisë, duke theksuar se ajo do të ndihmojë në stabilizimin e rajonit. “Aleanca për Shqiptarët” reagoi ashpër ndaj deklaratës së Zaevit, me arsyetimin se Kosovën pa ushtri e dëshirojnë vetëm Serbia dhe Rusia, ndërsa kërkoi që Zaevi të tërheqë deklaratën e tij dhe t’i urojë Prishtinës formimin e ushtrisë.

Javën e kaluar, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se Kosova do të përballej me pasoja serioze nëse vazhdonte transformimin e Forcës së Sigurisë së saj në ushtri. Megjithatë, vetëm 4 ditë më vonë, komandanti i Forcave të përbashkëta të NATO-s në Napoli, James Foggo deklaroi se transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës është një vendim sovran.

Top Channel