“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së martës veprimet e koordinatorit të Njësive Administrative në Pogradec, Nexhmi Torra, i cili bën emërime fiktive të punonjësve dhe lekët i fut në xhepin e tij. Në emisionin investigativ u ankua Gaqo Mile, nga Maliqi i Korçës. Ai tha se, në vitin 2014, një punonjës i Bashkisë së Pogradecit, nëpërmjet miqve i tha se do ta rregullonte në punë.

“I dhashë një kartë identiteti. Firmosa disa dokumente në bankë. Nuk i pash çfarë ishin. Më vonë marr vesh se më kishte futur rojtar pylli në Trebinjë. Unë kurrë nuk kam marrë lekë. Nuk kam qenë asnjëherë në punë. Por, kur mora një dokument nga Komuna Trebinjë më dilte sikur kam punuar 7 muaj aty”, tha Gaqo.

Ai kërkoi ndihmën e “Fiks Fare” që të denonconte këtë person, që punon aktualisht në Bashkinë e Pogradecit. Më tej sqaron se nuk punoi në asnjë vend, madje nuk ka bërë kërkesë për punë dhe nuk ka firmosur në asnjë bordero.

“S’kam shkuar asnjëherë në Trebinjë. Nuk e kam shkelur kurrë atë vend”, thotë ai, duke i venë në dispozicion gazetarëve të Fiksit edhe një dokument, që vërtetonte se në periudhën prill-tetor 2014 rezulton se ka marrë një pagë neto prej 19.500 lekësh.

Pas denoncimit, “Fiksi” shkoi me qytetarin në Bashkinë e Pogradecit për të takuar zyrtarin në fjalë. Gazetarët mësuan se personi quhej Nexhmi Torra. Qytetari e takoi këtë zyrtar, duke i kërkuar llogari se ku kanë shkuar lekët e tij. Ai i tha që ta linte rehat. Më pas, shkon në bankë dhe pyet një punonjëse nëse ka apo jo llogari bankare. Punonjësja i thotë se e di zotëria çfarë ka hapur, ndërkohë që thotë se llogaria ka qenë për pagën.

Gazetarët i drejtohen Njësisë Administrative Trebinjë, ku Gaqo rezulton se ka qenë i punësuar për 7 muaj. Pas kërkimesh, gazetarët takojnë ekonomistin, duke i kërkuar borderotë dhe dosjen e punësimit. Çuditërisht, në këtë Njësi Administrative nuk kishte asnjë dokument. Ekzistonte vetëm një libër pagash, ku zotëria ishte shkruar si punonjës me kontratë. Nuk kishte asnjë lloj dokumenti.

Ekonomisti kontrolloi të gjitha dosjet e punonjësve nga viti 2010 deri në 2013, pasi të tjera nuk ekzistonin. Por, dosja e Gaqos nuk ekzistonte. Ekonomisti u tha gazetarëve se Njësia Administrative nuk ka bordero. Ai foli me një punonjëse të Bashkisë së Pogradecit, e cila i tha se edhe atje nuk ka bordero.

Pra, borderotë e komunës nga viti 2009 deri në 2014 nuk ekzistojnë. Grupi i “Fiksit” bisedoi në telefon me një punonjës të vjetër të ish-komunës. Ai thotë se pagat në atë kohë janë dhënë vetëm në dorë dhe me bordero. Këtë punonjës nuk e njihte. Më tej sqaroi se z.Gaqo ka shkuar disa kohë më parë në këtë Njësi Administrative dhe kërkonte vitet e punës.

“Fiksi” bisedoi edhe me zyrtarin e Bashkisë së Pogradecit, Nexhmi Torra. Ky i fundit i thotë se e ka punësuar ai Gaqon, pasi e ka pasur baxhanak. Ai thotë se e ka ndihmuar tek ish-kryetari i komunës, që e ka pasur mik. “E kam ndihmuar për të rritur fëmijët, se ky është ndarë me gruan”, tha Torra.

***

Qytetari shkon në Bashkinë Pogradec
Qytetari- Si kaloni? Mirë? Nexhmi Torra është?
Punonjësja e bashkisë – Se kam parë fare Nexhmiun sot.Nuk është.
Qytetari-Zonjë, mund të vonohet?
Punonjësja e bashkisë – Se di, shiko njëherë në kafe, se kam parë fare.
Qytetari-Te cila kafe?
Punonjësja e bashkisë – Në mëngjes pinë kafe aty ata.
Qytetari-Ça bërët mirë? Nexhmi Torra ku është?
Punonjësi i bashkisë-Nuk është, nuk është.
Punonjësi i bashkisë-Po vjen, ka lëvizur.
Qytetari-Ku është?
Punonjësi i bashkisë-Në teren.
Qytetari-Mund ta di kur vjen, po ke mundësi?
Punonjësi i bashkisë-Po s’është. Mund të jetë me kryetarin, mund të vijë mbas një ore. S’mund të jap dot përgjigje kështu.
Qytetari-Nexhmi Torra është aty?
Punonjësja e bashkisë-Më vjen keq nuk ke asnjë specialist aty.Unë të thashë.Mos pyet njeri.
Qytetari-Nexhmi Torra?
Punonjësja-Jo, e ke jashtë.
Qytetari-Po ku jashtë?
Punonjësja-Jashtë, ku e di unë ku janë ata, në punë.

Qytetari shkon në bankë
Punonjësja e bankës-Si kaluat mirë?
Fiksi-Mirë.
Qytetari-Unë kam ardhur, se më ke thënë para një viti që hajde bëjmë mbylljen e llogarisë.
Punonjësja e bankës-Po. Ke nja 30 e ca mijë lekë ( të vjetra) minus, në llogari.
Qytetari-Mund të na e nxjerrësh atë letrën?
Punonjësja e bankës-Janë komisionet e llogarisë. Në qoftë se do që ta mbyllësh do ti shtosh edhe 800 lekë komision mbyllje llogarie, të vete 41.200 lekë ( të reja) . Duhet të derdhësh e të mbyllësh llogarinë.
Fiksi-Për çfarë?
Punonjësja e bashkisë – Zotëria e di për çfarë e ka hapur llogarinë rrjedhëse. Ky vet ka ardhur e ka hapur llogarinë, ka sjell dokumente, kështu që e di. Kur firmos tjetri. E di pse e ka hapur dhe si e ka hapur.
Fiksi-Po mirë, kjo llogari rrjedhëse për çfarë është?
Punonjësja e bankës – E di zotëria shumë mirë. Të lutem, po e di zotëria për çfarë e ka hapur.
Fiksi-Po mirë ti nuk mund ta thuash?
Punonjësja e bankës – Ky e di shumë mirë pse e ka hapur.
Fiksi-Për çfarë është?
Punonjësja e bankës – Këtij i ka kaluar një llogari page. Këtu i ka kaluar një pagë. Ti e di shumë mirë ku ke qënë në punë.

Takimi me punonjësin e Bashkisë Pogradec
Nexhmi Torra – Ik o dreq, na lër rehat.
Qytetari-Unë pagë për këtë punë nuk kam marr.
Nexhmi Torra – Ik ore qërohu të thash ik, ik. Ik se ke gjyqin. Ik ore p…
Qytetari – Të lutem shumë. Ik ore se të nxiva.
Qytetari – Ku janë lekët, ku janë lekët?
Nexhmi Torra – Qërohu.
Qytetari – Hajde sqarohu me mua.
Nexhmi Torra – A do ikësh ore?
Qytetari – Lekët kush i ka marrë? Po lekët kush i ka marrë? Kush i ka marrë?
Nexhmi Torra – Çfarë thua mo?
Qytetari – Më dhe letra e më the ik se s’ke punë.
Qytetari – Më nxirr lekët, nxirr lekët mashtrues.

Bisedë me ekonomistin e Njësisë Administrative Trebinjë, Pogradec

Gazetarja – Gaqo Mile, detyra?
Ekonomisti – Punonjës me kontratë.
Gazetarja – Ça do të thotë punonjës me kontratë?
Ekonomisti – Ku ta di unë, punëtor i thjeshtë. Këta janë të gjithë punonjës me kontratë.
Gazetarja – Duhet ta ketë një detyrë, siç e kishte, përshembull mendoj unë, elektricist. Ky tjetri e ka roje shkolle.
Ekonomisti – Po.
Gazetarja – Ky tjetri e ka …
Ekonomisti – Punonjës me kontratë janë të gjithë. Në bazë të kësaj, është hedhur dhe vërtetimi.
Gazetarja – Qartë. Tani, a kemi këtu dokumente, në bazë të së cilave është punësuar ku punonjës.
Ekonomisti – Ja të shikoj dosjet eee.
Ekonomisti – Këto janë dosjet personale të punonjësve që kanë qenë.
Gazetarja – Ok, mos ka një dosje?
Ekonomisti – Ja, atë do shoh.
Gazetarja – Nuk ka dosje?!
Ekonomisti – Nuk ka dosje. As kontratë, as dosje!
Gazetarja – Po si është bërë hedhja e parave pa kontratë dhe pa dosje?
Ekonomisti – Nuk e di. Faktikisht, ajo duhet të kishte një bordero, për mënyrën sesi është paguar.
Gazetarja – Po këtu nuk ka bordero fare?
Ekonomisti – S’ka, se janë dorëzuar.
Gazetarja – Ku janë dorëzuar?
Ekonomisti – Në bashki janë dorëzuar, nuk e di.

Bisedë me punonjësin që ka punuar në vitin 2014

Gazetarja – Po këtë punonjës a e mbani mend ndonjëherë këtu ju? … S’e mban mënd.
Punonjësi – Ka ardhur dhe ka kërkuar vjetërsi pune, kam punuar këtu thoshte.
Gazetarja – Po jo në 2014-ën, më vonë?
Punonjësi – Nuk e di.
Gazetarja – Në atë kohë, si merreshin pagat, i merrnin punonjësit në dorë apo kalonin në bankë?
Punonjësi – Në dorë.
Gazetarja – Pra, zotëria duhet të hidhte firmën diku që mori pagën.
Punonjësi – Po në bordero.
Gazetarja – Po tani borderotë s’i gjejmë as në Pogradec as këtu.
Punonjësi – S’e di.

Bisedë me zyrtarin e bashkisë

Nexhmi Torra – Gaqua ka qenë ish-baxhanaku im.
Gazetarja – Gaqo ka punuar realisht në atë komunë?
Nexhmi Torra – Dëgjo tani, e do drejt apo…
Gazetarja – Drejt, s’ka qenë asnjë ditë.
Nexhmi Torra – Unë atë kryetarin e kam mik dhe i thashë, meqë ku ka çupat në shkollë, të futet të marrë rrogë. Ky e mori rrogën.
Gazetarja – Ky thotë nuk e ka marrë rrogën.
Nexhmi Torra – Ja ka pritur dikush tjetër . Unë e kam ndihmuar deri sa ka vajtur në bankë. Trebinja shtrihet gjer në kufi këtu lartë. Dhe ky, për hatër tim, është e vërtetë ajo për hatër, po jo se ka marrë lekët. As Feimi, as unë, as ai. I ka marrë ky për të ndihmuar fëmijët. Dhe ja kam bërë unë hatrin, fute që të mërri një lekë. Se ai ka edhe kartën e identitetit. Ka hedhur edhe firmën në bankë. Në bankë, kush ia hodhi firmën, unë ia hodha?
Gazetarja – Jo, ai thotë unë kam hedhur firmë, po s’kam ditur çfarë kam firmosur. Në bankë kur është tërhequr karta është lënë një numër i Gaqos. Kush ia ka tërhequr kartën në bankë? Meqë qënke kaq në brendësi.
Nexhmi Torra – Vetë ka qenë. Unë e kam shoqëruar deri te banka.
Gazetarja – Ka tërhequr kartën?
Nexhmi Torra – Po. Unë i kam rritur fëmijët atij. Unë dhe gruaja i kam rritur fëmijët dhe më vjen keq për ta. Unë ta thashë drejt, unë e futa në punë, për të rritur fëmijët për të shkuar në shkollë. Numri i telefonit është i kunatës.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel