TopAwards/ Rino bashkon fuqitë me MC Kreshën për projektin e ri muzikor

18/12/2018 20:59

Një tjetër projekt muzikor me titullin “Habibi” është publikuar së fundmi në tregun muzikor shqiptar. Edhe pse një fjalë në arabisht, shumë artistë shqiptarë, zgjedhin ta përdorin këtë fjalë në tekstet e tyre muzikore ose në titujt e këngëve.

Artistët e fundit që kanë publikuar këngën me titullin “Habibi” është Rino dhe Mc Kresha, një bashkëpunim që ka rezultuar tepër i pëlqyer për publikun shqiptar. Falë sugjerimeve të shumta nga ana e fansave të dy artistëve, kjo këngë është renditur menjëherë në vendin e 34-t.

Edhe pse i ri në tregun muzikor, Rino ka bashkëpunuar me një nga emrat më të rëndësishëm të muzikës, MC Kresha, duke zgjedhur kështu një strategji shumë të mirë për t’u promovuar në muzikën shqiptare.

Rino, i cili prej vitesh jeton në Londër, ka qenë edhe më parë pjesë e klasifikimit të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, duke qëndruar për disa javë rresht.

Ish-konkurrenti i edicionit të 4-t të “The Voice of Albania”, Rinor Sopjani, në një intervistë të dhënë për “Top Awards” disa muaj më parë premtoi se do të vinte me disa projekte muzikore dhe projekti i fundit i këngëtarit vërtetoi që ai vërtet i mban premtimet.

Në intervistën e tij ai premtoi gjithashtu se emri dhe muzika e tij do të dëgjoheshin shumë në të një të ardhme shumë të afërt, kështu që bëhuni gati, koha e Rinorit po vjen.

Top Channel