Kabineti i kryeministres May diskuton “Brexit”-in pa marrëveshje

18/12/2018 14:10

Ndërkohë që kanë mbetur edhe 101 ditë nga “Brexit”-i, ministrat e kabinetit të Theresa Mayt janë mbledhur për të diskutuar mbi daljen e pritshme nga Bashkimi Europian pa një marrëveshje.

Kjo vjen pasi Theresa May tha se deputetët nuk do të votonin marrëveshjen e saj të “Brexit”-it deri në javën e tretë të janarit.

Udhëheqësi i laburistëve, Jeremy Corbyn ka kërkuar ndërkohë një mocion mosbesimi ndaj Mayt, duke thënë se ajo e ka zhytur Britaninë e Madhe në një krizë kombëtare. Por, kabineti i saj e ka cilësuar mocionin një lojë politike të pakuptimtë.

Në një kohë kur numërimi mbrapsht ka nisur, ende shumë deputetë e kundërshtojnë marrëveshjen e tërheqjes së qeverisë dhe tani ministrat duhet të marrin në konsideratë planet për largimin pa marrëveshje.

Por, një “Brexit” pa marrëveshje kundërshtohet po ashtu nga shumë deputetë. Një grup ndërpartiak prej 60 deputetësh i kanë shkruar kryeministres, duke thënë se dalja pa marrëveshje nga BE-ja do të shkaktonte dëme ekonomike të panevojshme.

Në anën tjetër, udhëheqësit e biznesit i kërkojnë kryeministres ta nxjerrë marrëveshjen e saj para popullit britanik. Marrëveshja e “Brexit”-it e kryeministres përcakton kushtet e daljes së Britanisë nga BE-ja, më 29 mars 2019, e përfshin edhe një deklaratë mbi marrëdhëniet e ardhshme me bllokun.

Por, marrëveshja hyn në fuqi vetëm nëse miratohet nga Parlamenti britanik dhe ai europian.

Top Channel