Tre ministrat kanë firmosur një urdhër për ndalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve për përdorim civil. Vendosja e një regjimi të ri që synon bllokimin e lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve është firmosur nga ministri i Brendshëm, ministri i Mbrojtjes dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë.

Në urdhër përcaktohen masat dhe hapat që do të ndërmerren për ndalimin e hedhjes në tregun e brendshëm të artikujve piroteknikë dhe fishekzjarrë për përdorim civil nga publiku i gjerë.

Specifikisht, artikujt që do të ndalohen të hidhen në treg janë të kategorisë 2, përdorimi i të cilave në mjedise të hapura jashtë ndërtesave kërkon një distancë nga 5 deri në 8 metër nga njerëzit dhe objektet; të kategorisë 3, përdorimi i të cilave në mjedise të hapura kërkon një distancë mbi 25 metër nga njerëzit dhe objektet.

Ndërkohë, do të ndalohet prodhimi, importi, eksporti, magazinimi, shitja dhe përdorimi i të gjitha substancave piroteknike dhe fishekzjarrëve, të cilat në përmbajtjen e tyre kanë: squfur, fosfor të përzier me klorat potasiumi, klorate të tjera, apo që përmbajnë njërën nga përzierjet e tilla.

Në urdhër janë përcaktuar edhe detyrimet e institucioneve shtetërore për ndalimin dhe hedhjen në treg të këtyre produkteve. Komisioni i Dhënies së Licencave, pranë Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, në Ministrinë e Mbrojtjes, do të ndalojë prodhimin me qëllim shitjen për treg të brendshëm të artikujve piroteknikë dhe fishekzjarrë për përdorim civil. Komisioni i Dhënies së Licencave gjithashtu do të rishikojë licencat e importit dhe prodhimit të cilat janë në fuqi, për ndalimin e hedhjes në tregun e brendshëm të artikujve piroteknikë dhe fishekzjarrë për përdorim civil. Në urdhër janë përcaktuar rastet kur do të lejohen këto produkte. Kështu është përcaktuar se do të lejohen të përdoren vetëm nga subjekte të licencuara për përdorimin e lëndëve plasëse, piroteknike dhe fishekzjarrë, në raste festash kombëtare apo lokale të organizuara nga institucionet publike, evente festive, ose në rast festash familjare (dasma, ditëlindje), e në të gjitha rastet do të lejohen vetëm pas vënies në dijeni të Komisariatit të Policisë, që mbulon zonën.

Gjithashtu, institucionet përkatëse do të ngrenë një Task Forcë, e cila do ushtrojë kontrolle për verifikimin e kushteve në linjat e prodhimit dhe të magazinimit të subjekteve të licencuara.

Top Channel