Shtetet anëtarë të Bashkimit Evropian i kanë bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë, që procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të jetë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës.

Përmes një deklarate të përbashkët, shtetet antare të Këshillit të BE-së, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Polonia, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë thënë se nisja e transformimit të FSK-së, përmes miratimit të tri ligjeve nga Kuvendi i Kosovës më 14 dhjetor, është një “e drejtë sovrane” e Kosovës.

“Nisja e procesit të tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës është e drejtë sovrane e Kosovës. Ne kemi parasysh angazhimin e Kosovës që gradualisht të trasformojë forcën e saj të sigurisë, në koordinim të ngushtë me NATO-n dhe partnerët. I bëjmë thirrje autoriteteve në Kosovë që transformimi i FSK-së gjatë 10 vjetëve të ardhshme të jetë një proces transparent dhe gjithpërfshirës, duke i përfshirë të gjitha komunitetet dhe të shmangë ndonjë ndikim të dëmshmën në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, thuhet në deklaratë.

Kuvendi i Kosovës më 14 dhjetor miratoi tri ligje, të cilat thuhet se do t’i japin kapacitete ushtarake Forcës së Sigurisë së Kosovës. Transformimi i FSK-së pritet të zgjasë disa vite.

Po ashtu, këto shtete të Këshillit të BE-së kërkojnë nga Prishtina dhe Beogradi që të shfaqin përmbajtje “dhe të ulin tensionet si dhe të krijojnë kushte për rinisjen sa më shpejt të dialogut që ndërmjetësohet nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së”.

“Ne, anëtarët e Këshillit të Bashkimit Evropian, duam të nënvizojmë se një marrëveshje ligjërisht obliguese e normalizimit është thelbësore, në mënyrë që Serbia dhe Kosova të mund të avancojnë në rrugën e tyre evropiane. Një marrëveshje e obligueshme, që adreson të gjitha çështjet duhet të jetë prioriteti kyç”, thuhet në deklaratë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011. BE-ja kërkon nga të dyja palët që në fund të procesit të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, e cila veç tjerash, thuhet se do t’ua hapte rrugën drejt integrimeve evropiane të dyja shteteve.

Top Channel