Përse mazhoranca ka ngelur vetëm në kuadrin e ftesës për dialog me studentët dhe nuk kalon në veprime konkrete? A është gatshme ajo të prekë ligjin “për Arsimin e Lartë”, e nëse po, a do të bëhet një ligj i ri apo do të ndryshohet ligji aktual?

Sot u bënë dy javë që studentët protestojnë dhe që kryeminsitri i fton në dialog, por ata refuzojnë. Ndërkohë, protesta sot ka marrë edhe “karburant” opozitar, pasi dy partitë PD dhe LSI janë angazhuar me mbështetje konkrete njerëzore ndaj protestës së studentëve.

Rama tha këtë të hënë se, me angazhimin e drejtpërdrejtë të PD-së dhe LSI-së, protesta e studentëve u mor peng nga opozita.

Për këto e të tjera çështje që lidhen me protestën e studentëve, e ftuar në emisionin “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja ishte nënkryetarja e Komisionit parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, Milva Ekonomi.

Sot ka pasur një mbledhje të grupit të PS-së, si çdo fillimjavë, në të cilën Milva Ekonomi tha se sigurisht që është diskutuar edhe çështja e protestës.

“Për ne mbetet shumë i rëndësishëm fakti që studentët janë ata që tregojnë se e ardhmja e Shqipërisë ka nevojë për vëmendje, që kërkohet t’u jepet përmes dialogut. Ata janë shtresa e intelektualëve të ardhshëm, e për këtë arsye ka nevojë që të forcohen edhe më shumë parimet demokratike në komunikim, siç është edhe dialogu! Për të gjitha kërkesat që ata kanë bërë, por edhe më shumë, ne jemi gati të dialogojmë”, tha Ekonomi.

Por përse qeveria nuk bën një kundërpropozim për 8 kërkesat e studentëve, por vijon t’i ftojë ata në dialog?

“Ato pika janë gjëra për të cilat duhet diskutuar në tavolinë. Rritja e shpenzimeve për arsimin sa 5% e PBB-së ka nevojë për diskutim, edhe pse në këto vitet e fundit buxheti për arsimin ka ardhur duke u rritur, me një programatikë të caktuar, nga 2.9 në 3.32%. Ne duhet të ulemi e të shohim se ku janë burimet dhe mundësitë që kërkojnë më shumë dedikim nga buxheti, krahasuar me sektorët e tjerë. Kjo bëhet duke pasur disa ekonomistë, ndoshta nga Profesorati i Fakultetit të Ekonomisë, nga studentët e Ekonomikut, apo edhe nga ne që kuptojmë sesi lëviz një projekt i GDP-së nga Ministria e Finacave, që gjithashtu duhet të jetë pjesë. Këto janë angazhime konkrete. Detyra që kemi ne është t’i ndjekim angazhimet që marrim përsipër”, shpjegoi më tej zonja Ekonomi.

Por e thënë në këtë mënyrë, duket sikur studentët kanë bërë një kërkesë të pamenduar mirë, ose apriori për rritjen e buxhetit për arsimin. A është realisht kështu, apo ata e kanë të mirëmenduar dhe të arsyetuar këtë kërkesë, e cila mbetet tashmë vetëm për t’u plotësuar?

“Kjo është një kërkesë që ka qenë pjesë edhe e programit të Partisë Socialiste, për të shkuar deri te 5% i GDP për arsimin e vazhdimisht e kemi rritur buxhetin. Tani, ajo që duhet negociuar është ndoshta se me çfarë shpejtësie do të duhet ta rrisim, ndaj është shumë e domosdoshme të ulemi për dialog. Tjetër gjë e rëndësishme është mënyra sesi do të shpërndajmë përgjysmimin e tarifave dhe çfarë i kemi dhënë si bonus kësaj pike të studentëve. Blloku i paketës financiare të kërkesave është marrë në shqyrtim nga ne. Kryeministri ka dalë me një propozim dhe thotë se studentë ekselence nuk mund të jenë vetëm ata të 10-s, por edhe ata të 9-ave. Për këta ofrohet një mbështetje me bursë dhe mbulimin 100% të tarifës, sikurse ndodh edhe për ata studentë që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike. Për studentët me rezultate mesatare, në vitin e parë ofrojmë mbështetje 50% të tarifimit, e më pas çdo gjë në bazë të rezultateve. Në këtë mënyrë, edhe konkurrenca e dijeve bëhet pjesë e tarifimit, merr një kuptim konkurrenca e ndershme e studentëve. Studentët duhet të kuptojnë se ka një mënyrë tjetër për të diskutuar, që është ardhmëria e tyre në tregun e punës”, deklaron më tej Milva Ekonomi.

Por, në këtë pikë, studentët thonë se pa u abroguar ligji “për Arsimin e Lartë” nuk mund të ketë realizim të kërkesave të tyre. A po e rishikon qeveria mundësinë e rishikimit të këtij ligji?

“Unë nuk besoj se ligji i Arsimit të Lartë ka nevojë të rishikohet, por që të implementohet shumë mirë. Ajo që ndodhi me këtë ligj ishte një dëshirë e kahershme e gjithë jetës universitare në Shqipëri, që të kishin autonomi. Universitetet e morën autonominë, ndërkohë që po punohet për ta ndërtuar më së miri atë. Do të reflektohet për gjithçka, por ky ligj duhet të vijojë e të bëjë ciklin e vet legjislativ, ndryshe nuk mund të marrësh përsipër që të ndryshosh ligjin”, u shpreh nënkryetarja e Komisionit të Edukimit.

E nëse ligji për Arsimin e Lartë është i mirë, a mos vallë po keqinterpretohet apo keqzbatohet ligji?

“Ky ligj nuk duhet të ndryshohet, por të zbatohet më tej. Thjesht gjatë kësaj periudhe është ngadalësuar zbatimi i ligjit. Duhej që të gjitha VKM-të që rrjedhin nga ligji të ishin bërë më shpejt, e teksa shpejtësia e veprimit të ligjit rritej, ne do t’i shihnim shumë më mirë efektet e ligjit. Autonomia e universiteteve duhet të vijojë, përmes autoriteteve të Rektoratit, studentëve dhe Ministrisë së Arsimit. Të gjithë këto autoritete bashkërendojnë në Senat dhe në Bordin e Administrimit. Mosfunksionimi i këtyre dy hallkave nuk nënkupton që ligji nuk është i mirë, por duhet të shohim një mënyrë të re sesi të të operojnë ato”, thotë Milva Ekonomi.

Duke mos pasur efektet konkrete të ligjit dhe reformës për Arsimin e Lartë, a mos po shkohet drejt asaj se “pretendimet e studentëve janë të gabuara”?

“Ne do ta çojmë përpara reformën për Arsimin e Lartë, ndërsa tani po dëgjojmë zërin e atyre që kanë nevojë për më shumë transparencë për mënyrën sesi zbatohet ligji për Arsimin e Lartë”.

Nëse zonja Ekonomi do të ishte ministre e Arsimit në këtë moment, çfarë do të bënte që protesta e studentëve të përmbyllej dhe kërkesat të realizoheshin?

“Zonja Nikolla është ministrja e duhur për Arsimin në Shqipëri, ndërkohë që përmes kësaj proteste pozitive që vë në lëvizje mënyrën sesi ligji për Arsimin e Lartë po zbatohet, do të isha përpjekur shumë fort siç po bën edhe zonja Nikolla, të dëgjoja me përpikmëri çdo kërkesë që vjen nga studentët, nga Rektorati, e të hapja një dialog mes studentëve dhe Profesoratit”, tha Ekonomi.

Në terren, gjërat flasin ndryshe. Njerëzve po u soset durimi, teksa është raportuar për bllokimin e disa kryqëzimeve të rëndësishme në Tiranë dhe kjo sjell pasoja për shumë shtresa të tjera. Përgjegjësia për çdo rast bie mbi qeverinë për të arritur një zgjidhje. Sigurisht nuk mund të vazhdohet pafundësisht…

“Padyshim që qeveria po punon fort që të arrihet te dialogu. NE të gjithë po e marrim me shumë seriozitet këtë moment dhe po përpiqemi të krijojmë të gjithë skenarët që do të çonin në zgjidhjen e këtyre kërkesave të studentëve. Përveç zgjidhjes së tyre me skenarët, të zgjidhim edhe me vet studentët se kush është rruga më e mirë për këtë”, tha Ekonomi.

Por deri më sot kemi parë deklarata e kundërdeklarata në distancë, apo përmes rrjeteve sociale. A ka përpjekje për të vendosur ura komunikimi, jo për ta manipuluar protestën, por për të gjetur pikërisht rrugën e vërtetë drejt dialogut dhe zgjidhjes?

“Mendoj se në ditët në vijim do të zgjidhet. Kemi një rast si ai i Universitetit të Gjirokastrës, ku çështja e tarifave nuk përbënte problem. Në Vlorë, mësimi zhvillohet normalisht sot, sikurse edhe në Durrës. Senatet e universiteteve janë mbledhur dhe i kanë trajtuar çështjet. Kostoja për një student është një çështje që kërkon një analizë shumë të mirë nga të gjithë ata që kuptojnë nga elementët e kostos. Përderisa në universitetet tona ekziston ndjeshmëria se duhen zgjidhur problemet qoftë edhe brenda, tregon se ky proces do të shkojë drejt dialogut”, tha nënkryetarja e Komisionit të Arsimit.

A kanë përgjegjësi drejtuesit e universitetit, rektorë e dekadë, për këtë gjë? Deri më sot, ata që kanë heshtur dhe nuk kanë folur, janë pikërisht drejtuesit e universiteteve. Cilët janë raportet e qeverisë me këta njerëz?

“Përgjegjësia e tyre është përgjegjësi e komunikimit. Ligji i ri kërkonte më shumë komunikim me përdoruesit e tij, që në këtë rast janë profesorati e studentët, sikurse administrata e studentëve. Nevoja e komunikimit për çdo vendim që merret në funksion të zbatimit të ligjit për Arsimin e Lartë ishte një nevojë e munguar në universitete. Lëvizja midis vendimeve të Senatit dhe Bordit ishte e shkëputur, duke mos u gërshetuar mes tyre. Senati ka përgjegjësi për jetën akademike, ndërsa Bordi për jetën administrative, por vendimet duhet të shkojnë si një e tërë”, shpjegon Milva Ekonomi.

Sipas Milva Ekonomit, dialogu po bllokohet tashmë për shkak të asaj që vet gazetari Dyrnjaja e quajti në fillim si “karburant” opozitar, duke u transformuar tani në jo vetëm një protestë e studentëve. Opozita duhet të shkojë në Parlament e të negociojë për çdo gjë që ka shqetësim. “Të vijnë e të diskutojnë edhe për buxhetin, qoftë për arsimin edhe në tërësi, gjë që nuk e bënë”, tha Ekonomi.

Bazuar në indiciet politike, a do të mbyllet me një rrugëzgjidhje brenda këtij viti protesta e studentëve sipas zonjës Ekonomi?

“Unë besoj se do të kemi një rrugëzgjidhje brenda këtij viti që do të çojë në përfundimin e protestës së studentëve”, konfirmoi nënkryetarja e Komisionit të Edukimit.

Top Channel