Kosovë, taksa 100 për qind jep efekte pozitive te produktet vendase

17/12/2018 14:25

“Taksa e vendosur nga Qeveria e Kosovës, për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina, ka bërë që të rritet konsumi i produkteve vendase”, thonë përfaqësues të bizneseve.

Aleanca Kosovare e Biznesit ka bërë një hulumtim lidhur me ndikimin e taksës 100 për qind në ekonominë kosovare, nga data 21 nëntor deri më 5 dhjetor 2018.

Në këtë hulumtim, “AKB”-ja thuhet të ketë anketuar 300 kompani të zgjedhura në industrinë ushqimore, tregtare, shërbyese dhe atë të ndërtimtarisë, me 250 konsumatorë të Kosovës.

Bazuar në këtë studim, masa prej 100 për qind ka dhënë efekte pozitive për prodhimin vendas. Prodhimtaria vendase, përgjatë kësaj periudhe kohore ka shënuar rritje me 25 për qind.

Edhe vet kompanitë kosovare pranojnë se është shënuar rritje prodhimi, e madje është shtuar edhe numri i të punësuarve. Disa pronarë thonë se kanë zgjatur orarin e punës, kanë shtuar turnet, e po punojnë edhe në fundjavë.

Tregtia mbetet aktiviteti ekonomik më i preferuar në Kosovë, duke lënë pas prodhimin. Prodhuesit në Kosovë u kanë bërë vazhdimisht thirrje institucioneve të vendit, që të krijojnë politika të favorshme fiskale për të fuqizuar sektorin e prodhimit.

Prodhuesve vendas po u kërkohet tani të rrisin cilësinë e produkteve, ndërkohë që Qeverisë së Kosovës i kërkohet të subvencionojë bizneset, në mënyrë që ato të fuqizohen.

Kosova, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, vazhdon të përballet me deficit të lartë tregtar. Për shkak të industrisë së dobët të prodhimit në Kosovë, eksporti i produkteve “Made in Kosova” në vende të ndryshme të Europës dhe botës kap vlerën e mbi 300 milionë eurove në vit, kurse importi i produkteve të huaja në vend arrin rreth 3 miliardë euro në vit.

Top Channel