Komisioni i Ekonomisë është përgjegjës për shqyrtimin e dekretit të Presidentit të Republikës që riktheu në Parlament buxhetin e vitit 2019.

Sipas kryetarit të komisionit, Erion Braçe, nuk ka arsye kushteuese për mosdekretimin e buxhetit: “Unë nuk shikoj asnjë arsye kushtetuese për dekretin e Presidentit të Republikës. Arsyeja është tërësisht politike. Në momentin që është politike është jashtë sallës së një komisioni specifikisht profesional që diskuton buxhetin e shtetit”.

Braçe thotë se zgjidhjet financiare të kërkuara për studentët mund të plotësohen pa u ndryshuar buxheti: “Zgjidhja është e plotë, por duhet të kthehet në shteruese. Është plotësisht e financuar nga burimet aktuale të buxhetit të shtetit dhe nuk ka nevojë fare për një dekret të Presidentit për këtë gjë”.

Por, a cenohen afatet e hyrjes në fuqi të buxhetit të vitit 2019? Erion Braçe u përgjigj: “Për këtë duhet të pyesni Presidentin e Republikës. Siç ju e dini, fuqinë e ligjit për të hyrë ose jo, pavarësisht përcaktimeve që bën ligjvënësi në momentin që e vendos, vjen me firmën e Presidentit”.

Top Channel