Fushata e Liverpoolit për të sjellë titullin kampion në futbollin anglez do të ketë një test të vështirë pasditen e sotme, kur në “Anfield Road” të zbarkojë Manchester United, një rival i përjetshëm i “të kuqve”, që pavarësisht ecurisë negative ofron rrezik real.

Ekipi i Jurgen Klopp është i vetmi në elitën e futbollit anglez, që nuk ka pësuar ende një humbje, por 90-minutëshi këtë fundjavë është i paparashikueshëm, në atë që konsiderohet beteja më e ashpër në Premier League.

Të dy ekipet u impenjuan këtë javë në arenën kontinentale me rezultate të ndryshme. Liverpool mundi Napolin, ndërsa “djajtë e kuq” humbën me Valencian, disfatë e parëndësishme gjithsesi për kualifikimin.

Jose Mourinho bëri 8 ndryshime në “Mestalla”, krahasuar me sfidën e mëparshme ndaj Fulhamit, e të dielën pritet të ndikohet gjithashtu nga dëmtimet e Smalling, Lindelof, Darmian dhe Martial.

Në kampin tjetër, nën drejtimin e Kloppit, Liverpool synon të sjellë titullin e parë që prej vitit 1990 dhe në kolonën e humbjeve shënon me krenari shifrën zero, diçka që shpreson ta ketë edhe të hënën. Për “The Reds” do të mungojnë Alexander Arnold dhe Joel Matip, por trajneri gjerman ka luksin të bëjë rotacion cilësor.

Sfida do të startojë në orën 17:00 dhe do të transmetohet në platformën sportive të Digitalb, në Supersport 2.

Top Channel