Një rritje e furnizimit me kokainë të pastër në Evropë, ka çuar në një rritje të vrasjeve të lidhura me drogën, ndërkohë që banda kriminale tregojnë forcën në një treg që më herët dominohej nga mafia, thotë agjencia e BE për drogat.

Prodhimi shtesë nga Amerika Latine, veçanërisht nga prodhuesi më i madh, Kolumbia, ka çuar në rritjen e numrit të bandave nga Maroku dhe Ballkani, që po ngrenë linjat e tyre të trafikimit, direkt nga prodhuesit.

Kjo, është parë si një ‘uberizim’ i tregtisë së kokainës, karakterizuar nga shpërndarje më të shpejta se kurrë, e që ka mbajtur çmimet të ulëta, thuhet në një raport të agjencisë me qendër në Lisbonë.

“Fragmentarizimi i tregtisë së kokainës në Evropë, duket se ka rezultuar në një rritje të konkurrencës mes bandave të krimit për territoret kombëtare dhe ndërkufitare në furnizimin dhe shitjen e kokainës”, thotë raporti.

“Një nga pasojat ka qenë edhe rritja e dhunës dhe vrasjeve të lidhura me drogën”. Ekzistenca e më shumë bandave ka çuar në metoda të reja marketingu dhe transporti, përfshirë korrierët që ia dërgojnë kokainën konsumatorëve, që kontaktojnë call-center-a të posaçme.

Shërbime të tilla korrieri ekzistojnë në Britani, Francë dhe Belgjikë, ku blerësit kontaktojnë me call-center-at me qendër në Spanjë apo Ballkanin Perëndimor.

Rritja e sasisë së kokainës që qarkullon në Evropë, ka bërë që të ndryshojnë edhe trajektoret tradicionale të trafikimit. Porti i Antverpit tani është pika më e madhe e hyrjes së kokainës në Evropë, me 41 tonë të konfiskuara vitin e kaluar.

Raporti paralajmëron se trajektoret e reja të trafikimit përmes porteve, mund të përfaqësojnë vetëm majën e ajsbergut, pasi trajektore të tjera dhe mënyra të tjera trafikimi, si aviacioni privat, mund të kalojnë pa u pikasur.

Top Channel