Prokuroria Speciale, pjesë e Gjykatës Speciale për Krime Lufte në Kosovë, por me seli në Hagë, ka filluar marrjen në pyetje të disa personave si pjesë e hetimeve që po bën ajo lidhur me krimet e luftës në Kosovë.

Të intervistuarit janë pjesëtarë të ish-UÇK-së, ndërsa janë thirrur edhe dy ish-komandantë të zonave, Rrustem Mustafa dhe Sami Lushtaku. Thirrje për tu marrë në pyetje të bëra publike kanë marrë 7 persona.

Disa prej tyre po merren në pyetje në Prishtinë, të tjerë janë thirrur në Hagë. Njëri nga të intervistuarit e parë nga Prokuroria Speciale ishte Sokol Dobruna, ish-kryetar i Gjykatës së UÇK-së në vitin 1998-99 dhe një pjesëtar tjetër i UÇK-së, Safet Syla. Avokati Tomë Gashi dyshon se për sa kohë që nuk tregohet se në çfarë cilësie ftohen për intervistim, pritet që shpejt një pjesë e të dyshuarve të bëhen të akuzuar.

“Nëse ne nuk jemi të vetëdijshëm se në çfarë cilësie po ftohemi, si të dyshimtë apo si dëshmitarë, është një keqkuptim tepër i madh që çon në zvarritje të procedurave, por dikush pa fajin e tij mund të dëmtohet jashtëzakonisht shumë. Gjithçka është në lojë dhe shumë shpejt pritet që prej të dyshimtëve një pjesë e tyre të shndërrohen në të akuzuar”, shpjegon avokati.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas bërjes publike të ftesave për intervistim nga Gjykata Speciale të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, ftoi bashkëluftëtarët e tij që të mos i largohen drejtësisë. Edhe kryeministri Ramush Haradinaj ka qëndruar në të njëjtën linjë, duke garantuar se qeveria e Kosovës do të ofrojë ndihmën e nevojshme për mbrojtje ligjore për “luftëtarët e lirisë”.

Asnjë aktakuzë nga Gjykata Speciale për Krime Lufte në Kosovë deri tani nuk është ngritur për ndonjë të dyshuar të mundshëm, ndonëse Prokuroria Speciale është funksionale që nga 5 korriku i vitit të shkuar.

Top Channel