Kryesia e Kuvendit të Kosovës po zhvillon një seancë të jashtëzakonshme, për të votuar draft-rezolutën e propozuar nga Partia Socialdemokrate, që ka të bëjë me parimet dhe udhëheqjen e pjesëmarrjes së Kosovës në dialogun me Serbinë.

Në këtë dokument kërkohet që çdo marrëveshje eventuale me Serbinë të kalojë përmes Kuvendit të Kosovës, dhe se çështja e kufirit të Kosovës me Serbinë të mos vihet në diskutime. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se Kosova nuk i frikësohet dialogut dhe se dialogu duhet të përfundojë me njohje.

“Ajo çfarë po bëjmë sot, do të jetë një seancë e jashtëzakonshme e cila ka të bëjë me dialogun, më konkretisht, ka të bëjë me ndaljen e ofenzivës së Vuçiqit dhe Serbisë, për tu paraqitur të moderuar para bashkësisë ndërkombëtare dhe për të treguar se Kosova ka zotësi, ka legjitimitetin dhe ka mundësinë t’i përgjigjet çdo sfide”, tha Veseli.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare në Shtetet e Bashkuara, John Bolton, përmes rrjetit social Tëitter ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje sa më shpejtë të jetë e mundur. Këto deklarata, Bolton i bëri në takimin me ministrin e Jashtëm të Sllovenisë, Miro Cerar në Shtëpinë e Bardhë, ku u diskutua për çështjet e përbashkëta të sigurisë dhe ekonomisë. Raundi i ri i bisedimeve në Bruksel, i nivelit të lartë të përfaqësimit, ende nuk është thirrur nga Zyra e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila e ndërmjetëson dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Por beogradi, pas vendosjes së taksës 100 për qind të mallrave serbe nga ana e qeverisë së kosovës, dhe pas miratimit të projektligjeve që transformojnë FSK në ushtrinë e ardhshme të kosovës, ka bërë të qartë se dialog nuk do të ketë së afërmi.

Top Channel