Kur duhet ende të përfundojë gjysma e sezonit në kampionatet elitare të futbollit europian, dy prej skuadrave më të vlefshme dhe më të njohura në botë, përballen me probleme të rëndësishme në pankinë.

Reali i Madridit dhe Manchester United janë ekipet që vlejnë më shumë në bursë, por rezultatet e fundit dhe zgjedhjet teknike janë në kontrast me milionat.

Drejtuesit e ekipit kampion të Europës janë duke menduar për shkarkimin e teknikut të përkohshëm, Santiago Solari, pas humbjes historike 3-0 në shtëpi ndaj CSKA-së së Moskës, në Champions League.

Në skenë, këtë fundjavë, ka dalë sërish emri i Mauricio Pochettinos, trajnerit argjentinas të Tottenhamit, që pavarësisht rinovimit mendon largimin nga Londra. Tekniku i Spurs ndihet i tradhtuar nga drejtuesit për shkak të merkatos mediokër, ndaj agjenti i tij ka hyrë në negociata me gjigantët kontinentalë.

Në lojë për shërbimet e tij janë edhe “djajtë e kuq” të Manchester United, të cilët projektojnë tek ai njeriun ideal për të sjellë ndryshimin e domosdoshëm në ecurinë e klubit anglez. Në rast se “djajtë e kuq” do të dështojnë të kualifikohen në Champions, largimi i Mourinhos është i pashmangshëm.

Emërimi i trajnerit të ri do të shoqërohej në qershor me blerje të rëndësishme dhe rikonfirmimin e futbollistëve problematikë si Pogba, Martial dhe Lingaard.

Top Channel