Publikimi i opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias mbi Shqipërinë ka shkaktuar replika të ndërsjella mes kryeministrit dhe kreut të opozitës. Për të ka reaguar ndërkohë edhe demokrati Oerd Bylykbashi

Rama shënjestron përmes statusit të tij në rrjetet sociale kreun e Partisë Demokratike, të cilit i shkruan se, pavarësisht se nuk i vjen mirë për atë, ai sërish nuk vë mend.

“Eh Artist, s’më vjen mirë për ty,po ti s’ve mend! Vate e u mbyt në ujin e Venecias edhe Gjojavetingu yt, një nga ato manovrat e tua në xunkth që e kanë bërë PD aq shumë joserioze në sytë e njerëzve, sa jeni hedhur në ilegalitet për të penguar Dialogun mes studentëve e qeverisë”, shkruan kryeministri.

  Venecia rrëzon PD-në: Mungon qartësia ligjore. Mund të çojë në abuzim me pushtetin

Por, statusit të kryeministrit, kreu i Partisë Demokratike nuk ka vonuar t’i kundërpërgjigjet me një interpretim ndryshe.

“Hajduti psiqik ka 9 ditë që nuk kupton as shqipen, pale pastaj anglishten! Mirënjohje Komisionit të Venecias që hapi dritën jeshile për vetingun e politikanëve. Asgjë nuk e shpëton hajdutin psiqik nga lidhjet me krimin! Koha kur politikanët janë mbi ligjin po mbaron!”, shkruan Basha.

Ndërkohë, demokrati Bylykbashi e ka cilësuar si lajm të mirë për shqiptarët opinionin e Venecias, e njëkohësisht lajm i keq për politikanët mafiozë.

“Komisioni i Venecias konfirmoi sot kauzën e drejtë dhe legjitime të PD dhe opozitës shqiptare për vettingun e politikanëve të lidhur me krimin e organizuar. Opinioni i miratuar sot nga Komisioni i Venecias përcaktoi guidën e detajuar për miratimin përfundimtar nga Parlamenti të amendamenteve kushtetuese dhe ligjin e detajuar, që ashtu si dekriminalizimi, do të duhet të largojë politikanët e lidhur me mafien. Komisioni i Venecias i bën thirrje mazhorancës të ulet në dialog konstruktiv me opozitën për miratimin e amendamenteve kushtetuese dhe ligjit sipas udhëzimeve të Komisionit, e shprehu gatishmërinë për të asistuar më tej në përfundimin e këtij procesi”, shkruan Bylykbashi.

Top Channel