Ndeshja që ngriti siparin e javës së 17 në Kategorinë Superiore, mes Partizanit dhe Kukësit, u mbyll me rrjeta të paprekura.

Sfida e zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi” mes dy pretendentëve për titullin u zhvillua në temperatura të ulëta dhe pa tifozë, por pati raste të mjaftueshme që gjithsesi nuk u kokretizuan në gol.

Bardhi shpërdoroi shanse të mira në fraksionin e parë, madje pretendoi dhe penallti për Partizanin, ndërsa Etemi dhe Rexhinaldo iu afruan golit në kuadratin e kryeqytetasve. Kukësi ishte i rrezikshëm dhe në rinisjen e lojës madje Donjet Shkodra mbolli panik shumë herë në prapavijën e Demave, por pa sukses.

Në një stadium bosh, ku më shumë u dëgjuan britmat e trajnerëve sesa ata të lojtarëve, Partizani iu afrua sërish rrjetës me Hebajn, por sulmuesi nuk arriti të finalizojë një gol që mund ta shkëpuste në krye.

Fërshëllima finale mban diferencën prej 5 pikësh të Partizanit kryesues me Kukësin e vendit të dytë, madje verilindorët mund ta humbin këtë pozicion nëse Skënderbeu mund Luftëtarin të dielën.

Top Channel