Treni përplaset me lokomotivën në Turqi, 7 të vdekur e 46 të plagosur

13/12/2018 08:41

Plot 7 vetë kanë mbetur të vdekur pasi një tren i shpejtësisë së lartë është përplasur me një lokomotivë në kryeqytetin turk gjatë kësaj të enjteje, sipas njoftimi të zyrës së guvernatorit të Ankarasë, i cili përkesoi në këtë mënyrë një bilanc fillestar prej vetëm 4 viktimash.

Sipas guvernatorit, njëri prej viktimave ishte makinisti i trenit, ndërsa veç tyre pati edhe 46 persona të lënduar, 3 prej të cilëve në gjendje kritike për jetën. Më herët ishte njoftuar gjithashtu se të plagosurit ishin 3 më pak.

Guvernatori Vasip Sahin u tha reporterëve përmes një fjalimi të transmetuar edhe në televizion se, “46 persona mbetën të plagosur, ndërsa fatkeqësisht 7 nga qytetarët tanë u gjetën të pajetë”, teksa treni i shpejtësisë së lartë ishte në rrugëtimin e tij drejt provincës qendrore të Konias.

“Mëngjesin e sotëm pati një aksident hekurudhor, pasi treni i orës 6:30 me destinacion Konian u përplas me një lokomotivë që ishte ngarkuar të kontrollonte shinat e të njëjtit itinerar”, tha Sahin.

Guvernatori shtoi se përpjekjet për kërkim dhe shpëtim vazhdojnë, ndërkohë që “hetime teknike” kanë nisur për të gjetur ekzaktësisht se çfarë e shkaktoi përplasjen në zonën Yenimahalle.

Pamjet e publikuara nga media turke tregojnë disa vagonë të dalë nga binarët, si dhe mbetje nga treni të shpërndara në të gjithë pjesën e hekurudhës ku ndodhi aksidenti.

Prokurori publik i Ankarasë ka nisur një hetim mbi përplasjen, raporton agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu”. Aksidenti vjen pas një tjetër fatkeqësie hekurudhore në korrik, kur 24 persona humbën jetën dhe qindra të tjerë u plagosën, kur treni doli nga shinat në provincën Tekirdag, në veriperëndim të Turqisë, për shkak të erozionit të tokës si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.

Top Channel