Pak ditë pasi njoftoi se ishte gati të linte mandatin e t’iu bashkohej studentëve, deputetja e PD-së Rudina Hajdari ka qenë sot në seancën plenare të Kuvendit, duke mbajtur një fjalim të fortë nga foltorja, por duke shpëtuar njëkohësisht edhe mandatin.

Ajo ka vlerësuar protestën e studentëve, por ka lëshuar akuza ndaj politikës dhe politikanëve, për të cilët ka thënë se nuk e duan këtë vend, ndërkohë që studentët janë të lodhur me ta, me çdolloj politikani.

Hajdari besohet të ketë shkuar në Kuvend në thyerje të vendimit të grupit parlamentar, e ndoshta për të shpëtuar mandatin e deputetes.

Ja fjala e plotë e Rudina Hajdarit:

Sot kam ardhur vetëm për një arsye. Jo për t’ju drejtuar këtij Parlamenti, as për t’ju thënë që kam ardhur këtu të marr një llokmë të studentëve, që t’ju them që jam këtu për të marrë mbështetjen e studentëve. Unë i dua ata studentë, atyre bravo ju qoftë që po ndryshojnë historinë e këtij vendi.
Unë kam ardhur këtu për një arsye të vetme, për t’ju thënë ju që rrini nëpër kafe aty që asnjë nuk është në këtë seancë, dhe këtu kushdo që foli ishte një kryehajdut që asnjë nuk e do këtë vend dhe s’keni për ta dashur. Dhe nëse doni ju ndryshim në këtë vend, sillni Kodin Zgjedhor këtu.
Mos i mbani listat e mbyllura! Silleni këtu ta votojmë. Dhe atëherë do pastrojmë këtë Parlament. Do pastrojmë këtë kastë politike dhe do e ndryshojmë këtë vend. Doni ndryshim për studentët?
Ndryshoni auditorët, kapni ata pedagogët aty. Ky eshte ndryshimi. nëse doni këtë vend mendoni seriozisht për vendin tuaj dhe mos hajdeni këtu të na bëni shoë politik sepse jemi të ngjeshur. Ky vend është i ngopur. Këta studentë që dalin aty jashtë, nuk dalin sepse vetëm thjesht duan ndryshime.
Ata janë të lodhur nga çdo politikan, jane te lodhur nga ju, nga këta, nga çdo lloj politikani. Kanë humbur besimin nga çdonjëri prej jush.

Top Channel