Ndërsa Kosova përgatitet të shndërrojë forcat e saj të sigurisë në ushtrinë e saj të ardhshme, me votimin që do të mbahet të premten në kuvend, reagimet nuk mungojnë. Ndër më entuziastët është ai i ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, sipas të cilit, votimi është historik për Kosovën.

Duke shprehur mbështetjen e SHBA ai nënvizon edhe se, seanca e të premtes në Kuvend duhet të jetë rast për reflektim dhe dedikim për paqe, stabilitet dhe prosperitet për Kosovën dhe fqinjët e saj. Qëndrimi i ambasadorit amerikan në Kosovë, është diametralisht i kundërt me atë të aleancës së atlantikut të veriut, ku vendi aspiron të anëtarësohet. Pak ditë më parë, shefi i NATO-s Jens Stoltenberg, tha se transformimi i FSK në ushtri, nuk duhet të ndodhë, të paktën jo në këto momente.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, thotë ndërkohë që Serbia ndodhet në një situatë të vështirë por edhe ka shtuar se është detyrim i autoriteteve serbe për të mbrojtur krenarinë kombëtare. Veprimet e Prishtinës, sipas tij, janë jo ligjore por bëhen me mbështetjen e amerikanëve dhe britanikëve.

Sidoqoftë, kalimi nga FSK tek ushtria e Kosovës duket se tashmë është bërë fakt, me kuvendin që pritet të miratojë në lexim të dytë, të premten, projektligjet përkatëse. Madje, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vizitoi FSK të enjten, i veshur me uniformë ushtarake duke thënë se transformimi që do të finalizohet pas pak orësh, është rrjedhë e natyrshme.

“Nga ky muaj, ju do të keni mandat të ri, mision të ri, si Forcë e Sigurisë së Kosovës, ju jeni Ushtria e Kosovës. Do të shërbeni dhe mbroni me integritet pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës”, tha ndër të tjera ai.

Top Channel