Komandanti i forcave të bashkuara aleate në Napoli, admirali amerikan James Foggo deklaroi se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtrinë e Kosovës përfaqëson vendimin sovran të Kosovës.

Ai ka thënë në Shkup, se ky është një vendim sovran që duhet të miratohet nga deputetët në Parlamentin e Kosovës.

“Kosova është një vend demokratik si vendi juaj (Maqedonia), ashtu si Serbia. Në një demokraci, ju zgjidhni anëtarë që marrin vendime në emër tuaj”, tha Foggo në konferencën për shtyp pas takimit me ministren e Mbrojtjes së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska.

Sipas tij, nëse bëhet një vendim për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në ushtri, do të duhet një periudhë prej 10 vjetësh.

“Ndërkohë puna ime dhe gjeneral major Lorenzo D’Zadari është që të ofrojë siguri në vend dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes,” tha Foggo, shkruan kosovapress.

Ai rikujtoi se NATO në Kosovë ka 4.000 anëtarë dhe ata janë të gatshëm për çdo vendim që do të merret nga Kuvendi i Kosovës gjatë këtij viti dhe do të qëndrojnë atje për të garantuar sigurinë e vendit. Parlamenti i Kosovës do të mbajë një seancë më 14 dhjetor në rendin e ditës të një votimi mbi një seri ligjesh që do të transformonin Forcat aktuale të Sigurisë në Ushtrinë e Kosovës.

Top Channel