Nëse lexon me kujdes në vendimin prej 260 faqesh të gjykatës, që ka dënuar 11 persona për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, aty në radhë të parë vihet re që mungon prova kryesore. Arma e krimit, plumbi, dhe faktorë plotësues të personave të akuzuar.

“Telefon, që mund të ketë një sms dhe ta lidhe me diçka, nuk ka. Djali që është në burg, faktorë plotësues që mund të ketë në trup, nuk ka. Është marrë makina që është ndodhur në vendngjarje, dhe nuk është vërtetuar asnjë faktorë plotësues, asnjë gjurmë gishti tjetër përveç se të familjes. Aty në vendngjarje janë gjetur disa maska, 2 apo 3, dhe fëmijëve të mi nuk u ka dalë asnjë lloj AND-je, në banesat që sipas prokurorisë mblidhej grupi kriminal dhe bënte plane, nuk u ka dalë asnjë gjurmë gishti, në armët e gjetura sikur kanë qenë në vendngjarje, fëmijëve të mi nuk u ka dalë një gjurmë gishti. Si arritën fëmijët e mi të fshinin çdo lloj prove? Ishin shumë të zot, apo kanë fatin që janë të pafajshëm? Kryesorja e kryesoreve, nuk është gjetur arma e krimit. Nuk është gjetur predha, nuk është gjetur gëzhoja, pa le më të caktohet dora kush e qëlloi”, tha nëna.

Vendimi voluminoz i gjykatës, bazohet vetëm në 2 lloj provash për dënimin e 11 personave. E para, janë deklaratat e disa të rinjve dhe e dyta, aktet e ekspertimit teknik të provave material.

Tre të rinjtë, Xhulio Malo, Klodian Selimi dhe Elson Kasma kanë deklaruar se ishin në grupin e vrasjes së efektivit Ibrahim Basha. Por këta adoleshentë, janë shprehur në gjyq se ata ishin dhunuar psikologjikisht dhe fizikisht nga policia, për të bërë deklarim të rremë.
Sot, të tre këta të rinj janë dënuar për pjesëmarrjen në vrasjen e efektivit Ibrahim Basha. Por edhe sikur të ishin të vërteta, a mund të dënohet dikush si vrasës vetëm me disa deklarata?

Tani të vijmë tek provat balistike të armëve. Shikoni pak argumentimin e Gjykatës.

“Një provë që provon fajësinë e të pandehurit Elvis Boci, në kryerjen e veprave penale: “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, është edhe akt ekspertimi teknik me Nr. 6976, datë 13.07.2015, i mitralozve të sekuestruar pranë banesës së shtetasit Mahmut Selimi”.

Pra, në rastin konkret, policia ka gjetur një mitraloz pranë shtëpisë së shtetasit Mahmut Selimi. Ka gjetur edhe disa gezhoja në vendin e ngjarjes që janë qëlluar nga ky mitraloz i lehtë. Dhe këtë i’a faturon si provë për vrasje, shtetasit Elvis Boci.

I njëjti argument përdoret edhe për 10 të dënuarit e tjerë. Pra, janë gjetur disa armë dhe disa gëzhoja që përputhen, por nuk është gjetur dot, se cili person e ka pasur në dorë këtë armë. Shumica e armëve janë gjetur në rrugica dhe në disa kanale të fshatit.

Pra, policia dhe prokuroria nuk kanë dokumentuar asnjë provë shkencore, që vërteton armët në duart e adoleshentëve.

“Kjo çështje ka marrë shumë volum nga provat indirekte, pra nga të thëna, nga arsyetime, por ajo që e ndan realisht fajësinë e një personi për veprën e vrasjes ose jo, duhet ti provosh që vrasësi ka patur një armë në dorë, ka shti me këtë armë dhe plumbat që kanë dalë nga arma e tij, kanë vrarë viktimën. Kjo është prova, po nuk qe kjo, vështirë të akuzosh dikë, apo të dënosh vrasje”, u shpreh ish ministry I Drejtësisë Ylli Manjani.

Një dyshim tjetër i fortë që ngrihet në këtë rast është edhe fakti që grupi kriminal ka qëlluar me breshëri. Nëse e marrim të mirëqënë këtë, që kanë deklaruar efektivët, që ishin në vendngjarje, atëherë përse nuk ka asnjë plumb tjetër mbi autoblinda apo tek furgoni, përveç atij që vrau Ibrahim Bashën?

“Në atë video futet një blind, që e kemi parë të gjithë në sallë të gjyqit, dhe ky blind nuk qëllohet nga këta gjasme grupi kriminal, pas tij futet blindi i dytë, edhe ky nuk qëllohet, dhe vjen makina e tretë që është një furgon, që për fat të keq ky qëllohet dhe pumbi është fatal, dhe është një tek plumb që ka vrarë njërin në ballë dhe ka plagosur dy të tjerët, edhë makina e 4 e blinduar edhe kjo nuk qëllohet. Kush e dinte nga fëmijët që kjo makinë është ë pablinduar dhe kjo duhej të qëllohej? Dhe kush qe ajo dorë e stërvitur që shtiu një tek plumb dhe vetëm një viktimë? Sipas prokurorisë në vend janë mbi 600 gëzhoja. Në qoftëse këto 600 gëzhoja u gjetën tek muri ku kalon furgoni i policisë dhe vetëm tek furgoni nuk ka asnjë goditje të vetme, është vetëm një goditje e vetme fatale. Në qoftëse këta qëlluan si grup në një objektiv, ku shkuan plumbat e tjerë????”, tha Shqiponja Boci.
“Janë bërë fotografi të furgonit, janë lënë gjurmë të qitjes në furgon? Jo. Sepse me sa di nuk janë gjetur gjurmë në furgon, përveç plumbit fatal”, shprehet zv.Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani.

Nga të gjithë pjestarët e grupit që akuzohen për vrasjen e policit Ibrahim Bashan në Lazarat, policia ka gjetur vetëm një prove, që vërtetë implikon njërin prej të akuzuarve. Njërit prej vëllezërve Aliko, i është gjetur AND-ja në njërën prej maskave të sekuestruara në vendin e ngjarjes. Kjo tregon se, ai ka qenë aty në momentin që është qëlluar policia. Por të tjerëve nuk u është gjetur asnjë mbetje AND-je, asnjë shenjë gishtash, as në vendngjarje, as në shtëpitë e tyre dhe as tek armët e sekuestruara.

“Kush e vrau, kush shtiu mbi policing? Kjo është pyetja dhe nëse 200 faqet e vendimit të gjykatës nuk i kanë dhënë përgjigjie, unë mendoj që nuk duhet të ketë burgje. askush nuk mund të dënohet kot. Sepse me të vërtetë ti mund të kërkosh që të vendosesh njëfarë drejtësie, për viktimën, port ë dënosh dikë për provën nuk është drejtësi. Është të shkaktosh një krim tjetër”, tha Ylli Manjani.

Top Channel