Shqiponja Boci jeton mes vuajtjeve për dënimet e djemve të saj, Bajram Bocit dhe Elvis Bocit. Ajo rrëfen për Top Story, se oficerët e policisë kanë arrestuar gabimisht djemtë e saj, pasi nuk kanë asnjë provë.

“Oficerër që kanë qenë në banesën time, Vladimir Doko, ka fol me radio, ka vërtetuar fëmijët e mi, që skanë pasur implikim në këtë ngjarje me anë të pasaportave, dhe dikush në radio i ka fol që, po Edmond Bocin çfarë e kanë. Unë u thash që është babi i tyre. Në këtë moment kanë shtuar forcat në banesën time dhe dikush në radio u ka thënë merrini çunat”, tha Shqiponje Boci

Nga lista prej 21 të dyshuarisht, që publikoi Policia në fillim, prokuroria dërgoi për gjykim 11 persona.

Ata, u konsideruan si grup i strukturuar kriminal, që qëlluan policinë me armë dhe vranë efektivin Ibrahim Basha. Sot procesi ka kaluar në 2 shkallë të gjyqësorit dhe gjykata ka dhënë dënime kapitale për këtë grup të rinjsh. 2 dënime të përjetshme dhe 148 vite burg për të akuzuarit e tjerë.
Sot kemi 11 të dënuar për 1 plumb. Janë 2 burgime të përjetshme dhe 148 vite burg për vetëm 1 plumb, që i mori jetën efektivit Basha.

“Po dënohen njerzit e pafajshëm për atë gjë. Nuk themi që djemtë janë të pafajshëm. Por në lidhje me vrasjen janë të pafajshëm. Në lidhje me organizime e çfarë janë ato të tjera, le të bëjnë burgun. Por jo të japësh dënime kaq kapitale”, tha Benard Pollo, Administrator, Lazarat.

Shqiponja Boci, është më e prekura në këtë process. Djali i saj, Bajram Boci ka marrë dënim të përjetshëm në mungesë, ndërsa djali tjetër, Elvisi do të kryejë 35 vite burg.

“Nuk qe e nevojshme të bëhej një dëshmor në kohë paqeje. Kush e vrau dhe pse e vrau? Po e ka vrarë djali im ta vrasë Zoti, mos të dalë nga burgu. Kush e vrau, i kërkoj shtetit, kush e vrau Ibrahim Bashën?”, tha për Top Story-n Shqiponja Boci.

Top Channel