Asnjë trafikant i dënuar. Asnjë lidhje kriminale e zbuluar. Asnjë rrjet, vendas ose ndërkombëtar, nuk u zbulua. E ndërkohë që këta trafikantë shihnin në televizor, tymin që dilte nga Lazarati, policia futi në burg mbi 200 banorë të fshatit.

“Sikur qe serbi me Kosovën, jo sikur qe policia me banorët e komunitetit të Lazaratit”, tha Benard Pollo, Administrator, Lazarat.

Që aksioni pati sukses këtë nuk e vë asnjë në dyshim. Së pari kultivimi i kanabisit u ndalua. Së dyti, në aksionin fillestar, nuk pati asnjë humbje jete. Pika në të cilën, të gjithë kishim dyshime ishte tek vullneti i qeverisë për ta luftuar vërtetë kanabisin.

Në vitet në vazhdim këto dyshime rezultuan të vërteta.

“Nga një vatër, nga një ishull i izoluar dhe disa ishuj të tjerë, të hashashit në atë kohë, në vitet 2015, 2016, hashashi mori dhenë. Tepelenë, Vlorë, në Lezhë, në Shkodër, pothuaj në tërë Shqipërinë”, tha Islam Buci.

Fakti është që Shqipëria, në vitet 2015 – 2016, u kanabizua masivisht. Nga një fshat i vetëm, tani ishin me qindra fshatëra ku mbillej kanabisi. Kjo tregoi që aksioni në Lazarat ishte thjeshtë një show për të fituar pikë para ndërkombëtarëve. Përhapja masive, në të gjithë Shqipërinë tregonte qartë që bosët e drogës ishin përsëri në veprim. Tregonte se qeveria, Rama e toleroi mbjelljen e drogës në Shqipëri, me të njëjtin vullnet politik si qeveria Berisha në Lazarat.

Top Channel