Dy vite më parë dhashë një intervistë për Radio Free Europe, që tërhoqi shumë vëmendje. Reagimet më të shumta erdhën për shkak të fjalisë ku thosha se zgjerimi i BE-së me Ballkanin nuk do të ndodhte. Shumë e vlerësuan qëndrimin tim të hapur, të tjerë e panë si diçka skandaloze dhe të papërgjegjshme, në një kohë kur vendet e Ballkanit përpiqen të përfundojnë tranzicionin.

Në atë kohë shkrova atë që vlen edhe sot, që edhe nëse Ballkani hyn një ditë në BE, kur kjo të ndodhë, BE-ja do të ketë ndryshuar vetë përbrenda, me kushedi se çfarë rregullash e strukturash të reja. Për këtë arsye, duhet pranuar se europianizimi i Ballkanit me reforma ekonomike neoliberale, dhe me reforma në drejtësi, ka dështuar ta kryejë integrimin.

Iluzioni i parë është që integrimi u shit si shërimi i çdo problemi. Ky iluzion është ushqyer nga ideja se Ballkani ka qenë një vend që ballkanizohej (termi ballkanizim – përçarje në njësi më të vogla e armiqësore me njëra-tjetrën), ndërsa Europa sa vinte e europianizohej, (europianizim – heqje e nacionalizmave dhe kufijve etnikë, duke vendosur një sistem integrimi të bazuar në rend ligjor e demokraci).

Zgjidhja përfundimtare e konflikteve në Ballkan dukej se ishte integrimi i vendeve në BE, që do t’i çonte drejt begatisë liberale dhe drejt tregut të përbashkët. Me këto parime, Sllovenia hyri në BE në vitin 2004, Bullgaria dhe Rumania në 2007, Kroacia në 2013.

Vendet e tjera, të quajtura në bllok si “Ballkani Perëndimor”, kanë mbetur si një geto brenda BE-së. Duke qenë se janë 6 shtete me vetëm 18 milionë banorë në total, dikush mund të pyesë me habi se si ka mundësi që BE-ja me 500 milion banorë nuk arrin ta zgjidhë situatën ekonomike në këtë copëz të vogël të territorit.

Përgjigjja është që jo vetëm që vendet ballkanike janë ngurruese për t’i ndërmarrë këto reforma, por dhe vetë BE nuk do të zgjerohet, për shkak të elektoratit nacionalist që sa vjen e rritet, me gjithnjë e më shumë fuqi për të paralizuar BE-në si strukturë. Veç kësaj, udhëheqësit e Ballkanit nuk shohin të ardhme financiare në BE për regjimet e tyre klienteliste, ndërkohë që kriza e vetë BE-së ia bën të qartë popullit që nuk do t’u ofrojë dot as atë begatinë që është reklamuar. Kështu që, shumë prej banorëve të Ballkanit Perëndimor kanë vendosur ta marrin vetë situatën në duar, sidomos të arsimuarit, e të integrohen vetë, duke  emigruar në vendet e BE-së.

Iluzioni i dytë ishte ai i garantimit të drejtësisë nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës. Ideja ishte që paqja do të kthehej më shpejt nëse kriminelët e luftës do të viheshin para drejtësisë. Në fakt, gjykata shpalosi shumë fakte për krime lufte në Ballkan, nga më të ligat në historinë e njerëzimit. Por duke i tejzgjatur gjyqet, harruan që 25 vite janë shumë, dhe, ndryshe nga ç’prisnin, këta kriminelë jo vetëm që vazhdojnë të jenë të lirë, por edhe brohoriten si heronj nga shumë grupime në vendet e tyre.

Iluzioni i fundit që i kanë shitur Ballkanit është që ekonomia do të zgjidhej vetvetiu, për sa kohë që i jepnin fund pronës shtetërore, duke zbatuar privatizime e duke garantuar fitime për investues të huaj e vendas. Por reformat neoliberale, të shtyra nga BE, FMN dhe Banka Botërore, vetëm sa pasuruan elitat dhe grabitqarët ndërkombëtarë, duke u vjedhur ballkanasve shumë prodhime industriale e bujqësore.

Vetëm pak janë ata në Ballkan që shijojnë  të njëjtin nivel jetese si në Perëndim, dhe kjo bën që qytetarët, punëtorët e paguar shumë keq, pensionistët e lënë në mjerim dhe rinia e papunë, të kthejnë sytë nga Gjermania, Austria dhe Irlanda për emigrim në masë .

Shpresat për integrim europian janë tradhtuar nga BE. Politikat post-nacionaliste që aspironin bashkim mes diversitetit, apo modeli social europian, tashmë janë harruar. Europa dikur kishte vlerat shoqërore e mikpritëse që i veçonin nga brutalizmi i SHBA-ve dhe Kinës, por tani dhe ato po zhduken.

Sot po shohim që kaosi i Brexit-it sa vjen e rritet; të varfrit dhe ata që kanë borxhe sa vijnë e dobësohen; ndërsa ndasitë midis lindjes e perëndimit, veriut e jugut, sa vijnë e thellohen. Sikur të mos mjaftonte kjo, forcat nacionaliste dhe ksenofobe, të cilat premtojnë shpëtim nga Brukseli dhe emigrantët, sa vijnë e fuqizohen.

Duke qenë një person që ka parë me sytë e tij “ballkanizmin” e Jugosllavisë, e kam të vështirë të besoj se një Europë kaq e “ballkanizuar” do të ketë aftësinë të europianizojë Ballkanin. Po nuk erdhi një ndryshim i shpejtë, ka për të lindur një tjetër lloj Europe, të cilës duhet t’i druhemi të gjithë.

Igor Stiks, Al Jazeera

Top Channel