Kroati dëshmor i albanologjisë, Milan Shuflaj u përkujtua në një event të quajtur ditët kroate, por që më shumë kishte për bazë ndërtimin e urave ndërmjet dy vendeve.

Deputetja shqiptare e kuvendit të Kroacisë Ermina Lekaj, si e ftuar speciale theksoi që Shqipëria duhet të sjellë në vëmendje këtë personalitet që u vra nga sllavët.

“Siç e dimë akademiku, albanologu Shuflaj ka dhënë një kontribut të madh për popullin shqiptar, duke shkruajtur historinë e tyre. Milan Shuflaj është i njohur edhe në Kroaci, sa i përket shqiptarëve që jetojnë në Kroaci, çdo vit ka manifestime përkujtimore për Milan Shuflaj, sepse ne e shohim atë si një baba të historisë së vërtetë për shqiptarët. Dhe mendojmë që shteti ynë i Shqipërisë, duhet të japë një kontribut ose një shenjë falenderimi për Milan Shuflajin”, tha Ermina Leka, deputete në Kuvendin e Kroacisë.

Por çfarë do të ishte kjo shenjë falenderimi, kur në Tiranë një rrugë tashmë mban emrin e tij.

“Ky burrë do një shtatore. Dhe ne kemi sajuar fonde që të bëjmë një shtatore në mes të Tiranës, që të bëjmë një shesh në mes të Tiranës, por çuditërisht kryetari i bashkisë nuk e ka miratuar. Ne kemi shumicën e fondeve dhe i kërkojmë kryetarit të bashkisë që ta miratojë sheshin, e ka në sirtar kërkesën, ndërsa fondet i kemi gjetur ne shumicën. Dhe ministria e kulturës të na mbështesë”, tha Pal Trashaj, kryetar i Forumit Mbarëkombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Në mbështetje të kësaj është edhe ambasadorja e Kroacisë në vendin tonë, e cila flet për rëndësinë e albanalogut, studimet e të cilit dhe sot janë pothuajse të pazëvendësueshme.

“Ai është në veçanti i njohur për punën e tij lidhur më Shqipërinë. Ai ka ndërtuar një miqësi midis Kroacisë dhe Shqipërisë. Ai i përkushtoi jetën e tij albanologjisë.Mendoj që ne të gjithë e dimë që kemi rrënjë të përbashkëta. Rrënjë ilire, dhe ky është një tjetër avantazh”, u shpreh Sanja Bujas-Jurga, ambasadore e Kroacisë në Shqipëri.

Top Channel