San Antonio Spurs duket se i ka lënë pas momentet e vështira që përjetoi ditët e fundit në NBA.

Skuadra teksane fitoi ndeshjen e radhës, atë ndaj Phoenix Suns me rezultatin 111-86, duke shënuar suksesin e 14 sezonal të saj, ndërkohë që për trajnerin Popovich ishte fitorja e 1211 e tij në karrierë, që e vendos atë mes 4 trajnerëve me më shumë fitore në historinë e NBA.

San Antonio ishte superior ndaj Suns në këtë përballje dhe këtë e tregon fakti se 5 basketbollistë të kësaj skuadre e mbyllën ndeshjen me statistika dyshifrore. Forbes ishte ai që bëri më mirë për Spurs me 24 pikë e 11 topa në tabelë, ndërkohë që Aldridge shënoi 18 pikë.

Ajo mes Torontos e LA Clippers ishte sfida mes dy skuadrave më në formë të NBA në këtë fazë të sezonit dhe në fund triumfi shkoi për kanadezët me rezultatin 123-99. Për Raptors nuk ishte në parket Leonard, por duket se mungesa e tij në këtë përballje me kalifornianët nuk u ndje aspak. Ata që drejtuan Toronton drejt suksesit të 22 sezonal ishin Ibaka me 25 pikë, Lowry me 21 e Valanciunas me 16 pikë.

Fitore shumë të rëndësishme regjistroi edhe Houston Rockets që mposhti Portland me rezultatin 111-103. James Harden në këtë ndeshje shënoi 29 pikë, ndërkohë që Chris Paul dha kontributin e tij me 11 pikë, 11 topa në tabelë e 10 asist. Paraqitje pozitive bënë edhe Gordon, Green e Capela. Ndërsa te Portland, Damian Lillard shënoi 34 pikë, por pa mundur dot të ndihmojë skuadrën e tij që të evitojë humbjen.

Top Channel